Rusia u ndalon udhëtimet 89 zyrtarëve europianë. BE e quan “arbitrare”

 

Rusia ka vendosur ndalimin e hyrjes së 89 politikanëve europianë apo udhëheqës ushtarakë, sipas një liste të siguruar dhe të publikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, një lëvizje kjo që ka irrituar Europën, apo më saktë ka përkeqësuar situatën e saj me Perëndimin, që e akuzon Moskën për rolin në konfliktin e Ukrainës lindore.

Lista, e cila është hartuar nga ministri i Jashtëm rus dhe që i është dorëzuar një delegacioni të Bashkimit Europian në Moskë, këtë javë, përfshin kritikë të shquar të Rusisë, ashtu sikurse edhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të kundërzbulimit. Një listë e ngjashme ekziston edhe për shtetas amerikanë, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme për mediet ruse.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që kur Rusia aneksi Krimenë në mars të vitit 2014, Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ekonomike, ka ndaluar hyrjen në vendet e BE-së dhe ka ngrirë asetet financiare të dhjetëra shtetasve rusë dhe ukrainas (prorusë) por edhe organizatave të ndryshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Moska mohon akuzat e Perëndimit, se ka mbështetur separatistët prorusë në betejën e tyre kundër forcave qeveritare në Ukrainë, gjatë një konflikti që ka marrë deri më sot rreth 6200 jetë njerëzish.

Një zëdhënëse e Politikës së Jashtme të BE-së tha se, gjatë muajve të fundit Rusia u ka ndaluar hyrjen një sërë politikanëve europianë. “E konsiderojmë këtë masë si totalisht arbitrare dhe të pajustifikueshme, veçanërisht në mungesë të një sqarimi shoqërues apo transparent”, tha ajo.

Ndërkohë, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Britanisë, apo “Foreign Office”, shtoi se nuk është dhënë asnjë justifikim për ndalimin e udhëtimit. “Nëse synimi i Rusisë është të ushtrojë presion ndaj BE-së, që kjo e fundit të lehtësojë sanksionet, atëherë kjo nuk është rruga e duhur që kanë zgjedhur”, tha ajo.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse ka konfirmuar për mediet ruse se lista e individëve, të cilëve iu është ndaluar udhëtimi në Rusi i është dorëzuar shteteve të BE-së, por refuzoi të komentonte mbi emrat e tyre.

“Përgjigjja ndaj kërkesave të disa shteteve europiane, se pse janë pikërisht këta njerëz të përfshirë në këtë listë, është e thjeshtë. Lista është hartuar si kundërpërgjigje ndaj fushatës së sanksioneve, të cilat janë vendosur ndaj Rusisë prej disa shteteve të BE-së, të kryesuara nga Gjermania”, tha një zyrtar në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Itar-TASS”. “Një listë analoge ekziston edhe për shtetas amerikane, gjithsesi dikush duhet ta theksojë se në këtë rast, amerikanët janë duke u sjellë më konstruktivisht sesa europianët”, shtoi ai.

Mes atyre në listë është Uëe Corsepius, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të BE-së në Bruksel, i cili do të marrë rolin e këshilltarit të punëve të jashtme të Kancelares gjermane, Angela Merkel. Gjithashtu edhe Bruno Le Rous, kreu i socialistëve të Presidentit Francois Hollande në Parlament, ish-zëvendëskryeministri britanik, Nick Clegg, si dhe ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt, i cili kryeson grupin liberal në Parlamentin Europian. Nga Polonia janë 18 emra në listë, ndërkohë që është edhe një deputet konservator gjerman, Karl-Georg Ëellmann. Zyrtarë të tjerë janë nga Letonia, Lituania, Estonia, Danimarka, Finlanda, Suedia, Çekia, Rumania, Bullgaria dhe Spanja./Top Channel

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?