Sadushi: Ndryshimet kushtetuese pamundësuan ndërhyrjen e ekzekutivit në gjyqësor
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi tha se ndryshimet kushtetuese pamundësuan ndërhyrjen e ekzekutivit në sistemin e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e parë rajonale për administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve, Sadushi tha se reforma në drejtësi i ka dhënë një tjetër dimension shkollës së magjistraturës.
“Reforma në drejtësi i ka dhënë një tjetër dimension shkollës së magjistraturës, me një rol të zgjeruar për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Përballja me sfidat e reja kërkon marrjen prej saj të përgjegjësive të tjera edhe më të rëndësishme që përmirësojnë dhënien e drejtësisë
Administrimi i gjykatave ka marrë rëndësinë e merituar në bashkëpunimin e aktorëve të drejtësisë.
Ndryshimet kushtetuese përcaktuan drejtpërdrejti përgjegjësinë e organeve të pushtetit gjyqësor në administrimin e gjykatave, duke qartësuar pamundësinë e ndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv në këtë fushë. Sfidat e reja janë para çdo aktori të drejtësisë, përfshirë edhe shkollën e Magjistraturës”, u shpreh Sadushi.