”SafeJournalists”: Oficeri i policisë sulmoi fizikisht gazetarët shqiptarë në Tiranë

Gazetarja e njohur investigative, Anila Hoxha (Top Channel) dhe kolegu i saj Endrit Aga i ekipit të TV A2CNN u sulmuan fizikisht më 06 nëntor 2021 rreth orës 17:00 nga një oficer policie teksa raportonin një rast vrasjeje në periferi të Tiranë, pranë malit të Dajtit.

Një punonjës policie ka tentuar t’i shtyjë në buzë të humnerës, akt që mund të rrezikonte edhe jetën e tyre duke pasur parasysh terrenin e vështirë. Ngjarja u raportua menjëherë tek autoritetet. Më vonë atë ditë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme konfirmoi se nisën inspektimet në lidhje me dhunën e ushtruar nga një punonjës policie ndaj gazetares së Top Channel (Anila Hoxha) dhe ekipit televiziv të A2CNN gjatë raportimit për vrasjen. Reagimi i Policisë ka qenë i shpejtë pasi në mbrëmjen e 6 nëntorit, Policia e Tiranës ka njoftuar se efektivi i policisë me iniciale Sh.T. është pezulluar nga detyra fill ngjarjes.

“Pres që gazetarët të trajtohen me dinjitetin që meritojnë dhe të dënohet çdo rast dhune ndaj gazetarëve”, tha Anila Hoxha. Blerjana Bino, studiuese e gazetarëve të sigurt në Shqipëri, deklaroi se “sjellja e Policisë është e papranueshme dhe nuk duhet toleruar”. “Ky është një tjetër sulm fizik ndaj gazetarëve nga Policia e Shtetit dhe është një tregues i qartë i ndjeshmërisë së kufizuar të Policisë së Shtetit në veprimet e saj ndaj gazetarëve dhe stafit të medias. Ndërsa ka pasur një reagim të shpejtë nga autoritetet për rastin, ende mbetet për tu parë nëse autoritetet do të vazhdojnë hetimet”, shtoi ajo.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegët shqiptarë dhe dënon këtë sulm ndaj punonjësve të medias. Kërkojmë hetim të duhur të rastit dhe transparencë rreth rezultateve të hetimit. Gjithashtu, rrjeti ynë kërkon dënimin e qartë të një sjelljeje të tillë nga punonjësit e policisë dhe ushtrimin e një tolerance zero ndaj sulmeve ndaj gazetarëve. Ne sugjerojmë përmirësimin e marrëdhënieve me organizatat mediatike dhe ekspertët për të trajnuar dhe ndërtuar kapacitetet dhe ndërgjegjësimin e punonjësve të policisë se si të ndërveprojnë me gazetarët veçanërisht kur mbulojnë ngjarje të drejtpërdrejta.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup-Beograd-Podgoricë-Prishtinë-Sarajevë-Zagreb, 8 nëntor 2021

Në emër të:

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

SHKARKO APP