Safet Gjici: Kamza do e shporrë Xhelalin e Saliut më 21 Qershor

 

Kandidati i Koalicionit të majtë në Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, ka reaguar sot lidhur me videon e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku aludohet për manipulime me kartat e identitetit në këtë njësi vendore.

Zyra e shtypit e kandidatit Gjici bën të ditur se video është një manovër për të hedhur baltë mbi kandidatin e majtë dhe është një mashtrim. Duke e cilësuar videon si një shantazh, shtabi elektoral i kandidatit Gjici shprehet se të dielën votuesit do të japin verdiktin e duhur për kandidatin e djathtë.

Njoftimi i plotë për shtyp i Shtabit elektoral të Safet Gjicit:

“Ditën e djeshme opinioni publik është njohur me një video të postuar nga Saliu dhe vartësit e tij, në rrjetet sociale, video që hedh baltë mbi fushatën elektorale të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Kamëz.

Jo pa qëllim postuesi i kësaj video, i njohur prej kohësh si një maniak dhe abuzues i të drejtës së të tjerëve, e lidh materialin filmik me kandidatin Safet Gjici, për shkak të humbjes që do të pësojë në 21 Qershor maniaku seksual i bashkisë së Kamzës.

Ndërsa na akuzojnë me video të montuara, i kujtojmë qytetarëve që janë po këta të Shqup-it që kapen me presh në duar duke shpërndarë para për të blerë votën, siç ishte rasti i fundit i denoncuar nga emisioni “ Fiks Fare”.

Xhelali i Saliut, i dënuar nga gjykata me 2-vjet burg për vjedhje të fondeve publike, përmes këtyre filmave të prodhuara në studiot e SHQUP-it nuk do të mundet të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të Kamzës.

Tashmë ata e kanë zgjedhur drejtimin e duhur. Ndërsa Xhelali dhe të tijët janë në drejtim të paditur.

E gjitha kjo vjen pasi Aleanca jonë, e qytetarëve që kërkojnë ndryshimin për shkak të keqqeverisjes së tetë viteve të shkuara është forca që do të ndryshojë drejtimin e Kamzës dhe do të eci në ritmin e zhvillimit.

Ka marrë fund koha kur njerëz të tillë shantazhojnë, trajtojnë njerëzit si spektatorë, i shfrytëzojnë vetëm për zgjedhje. Ka ardhur koha që të gjithë banorët e Kamzës dhe Paskuqani të jenë bashkëdrejtues të Bashkisë së madhe.

Vota e banorëve më 21 qershor do t’i tregojë kësaj politike se njerëzit nuk duan më këtë model, që vetëm përbalt kundërshtarin dhe nuk merret aspak me problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Vetëm dy ditë na ndajnë nga dita kur kjo votë do të vendosë për të ndryshuar drejtimin e një qyteti të braktisur prej shumë vitesh dhe ku qytetarit i merret vota dhe i kthehet kurrizi.

Banorët e Kamzës dhe Pakuqanit e kane vendosur: Më 21 Qershor shporrin njëherë e përgjithmonë Xhelalin nga Kamza dhe i japin qytetit të tyre Drejtimin e Duhur, për më shumë shërbime dhe punësim, për më shumë mirëqenie dhe trajtim dinjitoz”.

 

SHKARKO APP