Saimir Tahiri u dënua, ja trupa gjykuese që e futi në burg

Trupa gjykuese me gjyqtar Engert Pëllumbi me anëtare Igerta Hysin dhe Florian Kalanë kanë lënë sot në burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Engert Pëllumbi i komanduar në Gjykatën e Apelit të Vlorës në tetor të vitit të kaluar kaloi vetingun. Ai përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitet 2017-2020, Pëllumbi punoi si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe prej nëntorit 2020 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Vlorës si pjesë e skemës së delegimit.

Igerta Hysi e Gjykatës së Fierit u konfirmua në detyrë në nëntor të 2021 duke kaluar me sukses vetingun. Hysi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas kryerjes së stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në vitin 2011 në Gjykatën e Rrethit Fier.

Florjan Kalaja u konfirmua në detyrë në dhjetor 2020. Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, më pas gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

SHKARKO APP