Sali, tempulli i Strasburgut nuk bie me një të shtënë!

 

Nga Leart Shyti dhe Orik Shyti.

 

 “Zgaq i përbuzshëm, Shqypnia të volli”

Mjeda.

 

Ndodhi ajo që pritej. Sali Berisha, zgjati duart deri në Strasburg, për të penguar Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të jepte drejtësi. Drejtësi, për një nga “anëtarët” më në zë të “Hakmarrjes për Drejtësi, Altin Arapin. Të zhveshur nga çdo lloj morali, banda e jakave të bardha, të emëruar për t’i shërbyer atij, ia dolën të mashtrojnë Gjykatën, duke futur kusarisht në dosje dokumente, që s’kanë lidhje me Altin Arapin. Thënë ndryshe, ndryshoi përmbajtjen e dosjes, duke shtyrë Gjykatën të jepte një vendim, të mbështetur në prova të gabuara.

Kushdo që e njeh Saliun dhe “dobësinë” e tij për “Hakmarrjen” e pranon se nuk ka bërë gjë të re. Ka bërë atë që ka bërë me dosjen e “Hakmarrjes”, qysh në zanafillën e saj. Prandaj duhej të pritej dhe tani që u provua s’ka vend për t’u çuditur.

Si e veçantë e së njëjtës mënyrë veprimi mund të veçohet zgjatja e duarve deri në GJEDNJ. Po pse të mos i zgjaste duart deri në Strasburg, kur në Shqipërinë e sunduar prej tij, për të tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm nga vjedhja e zgjedhjeve të 26 majit 1996, “zbuloi një bandë terroriste” që e kishte krijuar një 15 vjeçar (prandaj kurrë nuk ia përmendi moshën); u ul e shkroi një platformë kriminale, nën siglën “Hakmarrja për Drejtësi Shqiptare”, duke përdorur si model shkrimin e Altin Arapit (e vërtetuar shkencërisht); mbushi një kasafortë me kartëmonedha shqiptare dhe publikut i tha me zë e figurë se janë një milionë dollarë që ia kishte sekuestruar “Hakmarrjes”, kur në kasafortë nuk ishte gjetur asnjë dollar; mbushi tre procesverbale me inventarin e më shumë se 100 armë e mjete të tjera të rrezikshme dhe bërtiste se ia kishte kapur “Hakmarrjes” në apartamentin e saj konspirativ, në përgatitje e sipër për të kryer atentat kundër jetës së tij, por kontrata e qirasë provoi se apartamenti nuk ishte konspirativ por i marrë me qira, ndërkaq u provua dhe u pranua nga gjykata se të gjithë nënshkruesit e procesverbaleve (9), të emërtuar “kontroll banese” dhe “këqyrje banese”, nuk e kishin këqyrur dhe as e kishin kontrolluar atë apartament, madje tetë prej tyre nuk e kishin as idenë se ku ndodhej apartamenti. Zgjatemi po të rreshtojmë procesverbale të tjerë të falsifikuar. Kaq mjaftojnë për të thënë se fare pak nga këto dhe shumë shkarazi iu përcollën publikut nga shtypi. Shkaku është i njohur, kontrolli i politikës mbi mediat, që ndihmohej në mënyrë të qëllimshme nga zvarritjet e gjykimit. Asnjë gazetar, asnjë media nuk e shtroi pyetjen logjike: pse gjykata jep dënime për këta njerëz kur pranon se të gjitha provat janë të manipuluara? As sot nuk flet kush për këto gjëma sikur të mos kenë ndodhur dhe të mos kenë asnjë ndikim mbi sistemin e drejtësisë. Fliten fjalë të zbrazëta për korruptim politik e moral në drejtësisë, por atë që është konkrete e shpalosur në sallën e hapur të gjykimit druajnë ta shqiptojnë. Asnjë organizëm i asaj që quhet Shoqëri Civile nuk flet. Në faqen zyrtare të OSBE-s është edhe sot një studim i botuar si libër në vitin 2006, në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Për dy vjet ekspertët e saj monitoruan gjyqin e “Hakmarrjes” dhe konkluzionet e tyre kanë zënë vend në faqen 53/ 97-105 të kësaj analize, por askush nuk u referohet. Për t’ia përcjellë publikut rendet pandalshëm pas shpifjeve të Sali Berishës, por kurrsesi nuk harxhohet kohë për të lexuar një studim që iu ka kushtuar taksapaguesve evropianë dhe amerikanë mijëra euro.

Nuk i përmendëm të dhënat e sipërme për t’i kujtuar të ambasadës së Prezencës së OSBE-s apo të huajve të tjerë që para se të regjistrojnë shpifjet e përditshme të Sali Berishës të vlerësojnë studimin e tyre dhe t’u referohen  burimeve të tjera. Jo, aspak për këtë! Të huajt nuk janë aty për të mbrojtur interesat e shtetasve shqiptarë, sikundër nuk janë përfaqësuesit e Shqipërisë nëpër botë për të mbrojtur interesat e shtetasve të atyre vendeve. I përmendëm për të treguar se ku mund t’i gjejnë provat ata që janë të interesuar për informacion të paanshëm.

Askush nga mediat nuk i ka përcjellë plotësisht e ndershmërisht ato që janë provuar në gjykatë, e jo më t’ia kujtojnë e tundin para hundës zgaqit të përbuzshëm. Është kjo heshtje që ia mbulon krimet e kryera në errësirë dhe në mesë të ditës me diell, është kjo heshtje që i dha besim se edhe në Strasburg do ia dilte ta fshihte krimin.

Njohës të procedurave po na thonë se manipulimi i të dhënave në Strasburg nuk mund të realizohej pa ndihmë nga Tiranë dhe zotërisë në Strasburg, që qenkan kushërira e miq të zonjës më të njohur të Kuvendit. Mund të jetë ashtu si thuhet, por ne, ndryshe nga zonja drënjë, nuk mendojmë se nëse kushërinjtë a miqtë e saj janë përfshirë apo përfshihen në një krim automatikisht është e përfshirë edhe ajo. Këtë le ta zgjidhin hetimet. Cilët do qofshin të përfshirët në falsifikim, ata me vetëdije kanë përmbushur vullnetin e Sali Berishës.

Përgjatë gati 20 vjetëve të historisë së “Hakmarrjes” përpjekjet për të na dënuar me prova të fabrikuara i ka shoqëruar me intriga për të na asgjësuar fizikisht. Intrigat e Saliut për të krijuar konflikte vrastare midis nesh e të tjerëve janë të shumta. Për shumë vjet u përpoq të nxiste familjarët e viktimave “të vrarë” nga “Hakmarrja”, por që koha po i ndriçon se janë vrarë prej tij. Ndërkohë, na ngrinte prita për ta kryer “misionin” e familjarëve me banditët e tij, i bindur se alibia e parapërgatitur për motivet dhe autorët do funksiononte. Meqë as intrigat dhe as pritat nuk ia sollën lajmin e shumëdëshiruar, zgjodhi të na përplaste me njerëz që Drejtësia i kishte deklaruar fajtorë, apo më parë ai dhe, më pas, “drejtësia” e tij. Kishte arsye të besonte se kjo lloj intrige do funksiononte. Kishte arsye sepse me intriga të tilla nxiti vëllavrasjen në Tropojë, ku u vranë dhjetëra djem e burra dhe mbetën jetimë qindra fëmijë. Kjo plojë e madhe është edhe “dhurata” më e çmuar që i ka bërë vendlindjes.

Edhe pse nuk ia ka dalë të arrinte qëllimin, jo për shkak të zotësive tona, por thjesht se nuk na ka lidhur dhe nuk na lidh asgjë me krimet që na atribuon Saliu, as me njerëz të akuzuar me apo pa të drejtë për krime. Mirëpo intriganti nuk ka kurrfarë burrërie të pranojë humbjen, në këtë rast dështimin. Ai vazhdon të bëjë intriga të reja mbi të njëjtën platformë.

Qysh se gazeta “Dita” nisi botimin e shkrimeve të një dëshmitari okular (nga të paktët persona që kanë mundur të shpëtojnë jetën nga intrigat e përcjella me njerëz të natës dhe fjalët-plumb të Saliut) e shpalli këtë gazetë pronë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Këmbëngulës, si kurdoherë, duket i frymëzuar edhe nga qëndrimet kritike të gazetës ndaj Ministrit të Brendshëm, ditët e fundit, i zgërdheshur vesh më vesh nga gjetja “gjeniale”, deklaroi për një “frikë” që e paska zënë kryeministrin e vendit nga “Hakmarrja” dhe se, për të gjetur shpëtim, po kërkonte ndihmën e një emri që Saliu e përdor si mbiemër për ministrin e Brendshëm.

Le të mos çuditet askush se si mund ta thotë Saliu që “Hakmarrja” rrezikuaka këtë kryeministër të cilin ai, shumë më shumë se dy kryeministra të mëparshëm, e ka akuzuar se na ka përdorur për të kryer krime dhe na ka falur prona, madje e ka bërë pjesë të “Hakmarrjes” familjarisht (hëpërhë ka lënë jashtë anëtarësimit vetëm më të voglin, në pritje të dalë nga shpërgënjtë dhe të mbathë pantallona- ndjesë prindërve të tij). Askush të mos lodhet të gjej shkakun e kapërcimeve të tilla. Vetëm ndonjë psikiatër mund të shpjegojë se si nuk druhet të bëjë kapërcime të tilla, brenda javës “shefat” dhe “miqtë” na i kthen në “armiq”, e javën tjetër në “miq”.

Jo për të sqaruar Saliun dhe as opinionin e gjerë, por për të sqaruar ata lexues që, për arsye të ndryshme, nuk janë në dijeni të fakteve na duhet të themi se nuk e kemi armik as kryeministrin, as ministrin e brendshëm. Asnjërin nuk e njohim, por ministrin e çmojmë për qëndrimet burrërore ndaj Sali Berishës në Kuvend, sikundër çmojmë dhe pak të tjerë për të njëjtën cilësi. Ne armik kemi Sali Berishën dhe një pjesë të kufizuar të bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë kryer krime ndaj nesh. Bashkëpunëtorë në krimet që ka kryer ndaj nesh janë ata që kanë fabrikuar dhjetëra akte për t’u dhënë vërtetësi shpifjeve të tij. Dhe është fjala për ata akte mbi të cilat janë ngritur akuza të pavërteta e që na e kanë tërhequr jetën zvarrë nga fëmijëria e deri më sot. Të tillë janë për ne edhe këta që fëlliqën dosjen në GJEDNJ në Strasburg.

Fatkeqësisht, për shkak të armiqësisë së Saliut, edhe miqtë i kemi të paktë, pavarësisht se mund të jenë të shumtë ata që, në Shqipëri paraqiten si miqtë tanë, qoftë se ua do interesi të shpërndajnë veresie të fala në emër tonë, qoftë se ua do xhepi të bëjnë kërcënime rrugaçërore.

Armiqësia nuk është e ndarë nga urrejtja. E urrejmë Sali Berishën aq sa edhe e përbuzim. E përbuzim për fëlligështinë në moral, e përçmojmë për ligësinë në karakter dhe për gojën e shthurur. Por kemi edhe ne “terapinë” tonë për ta shporrur të ligun sa më shpejt nga vetja. Na vjen mirë kur shohim se si rritet urrejtja popullore ndaj tij, na vjen mirë kur vërejmë se bëhet qesharak. Dhe kjo e fundit po ndodh gjithnjë e më shpesh, ngaqë, falë regjjes në lëtyrat e gënjeshtrave, shpifjeve dhe intrigave të veta, ndjenja e turpit i është fshirë krejtësisht. Vargjet janë pjesë e terapisë, prandaj herë i themi me mend e herë me zë, por për bëmat e fundit zgjodhëm t’i themi: Sali, je “Zgaq i përbuzshëm, Shqypnia të volli”!

 

 

SHKARKO APP