Salianji: Kriminelët po përdorin policinë, janë fuqizuar sa kërcënojnë edhe prokurorët
Këtë të martë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, deputeti i PD-së Ervin Salianji ngriti alarmin për rendin dhe sigurinë, nisur dhe nga ngjarjet e fundit. Salianji i kërkoi kreut të Komisionit Nasip Naço të japë mbështetjen për institucionet e sigurisë, teksa përmendi kërcënimin dhe përndjekjen e prokurorëve nga kriminelët, duke iu referuar dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani për qëllimet e Laert Haxhiut.
”Është në detyrën tuaj si kryetar komisionit dhe të komisionit që ta nisnit mbledhjen duke dhënë mbështetje për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në këtë vend duke kërkuar pa diskutim që për ngjarje të rënda të vijë dhe të japë shpjegim ministri i Brendshëm, kryetarja e SHISH dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë sepse u bënë ngjarje pas ngjarjesh që tentoni t’i mbuloni me tentativa për t’i kaluar në anale të pafundme, por këto sa po vijnë dhe po shtohen si ngjarje, sa po vijnë dhe po bie besimi i qytetarëve që qeveria mund të ketë ndonjë përpjekje për të luftuar apo për të qenë në krahun e atyre që luftojnë krimin dhe bandat kështu që besoj që është në nderin tuaj si maxhorancë, meqenëse nuk e nisët t’i jepni mbështetje tani, të gjithë bashkë dhe pa diskutim t’iu kërkojmë institucioneve që përmenda të vijnë dhe të përgjigjen për një ngjarje që në dijeninë time nuk ka ndodhur më përpara”, tha Salianji.
Për Naçon, deputetët e opozitës duhet të zbatojnë rregulloren për të kërkuar drejtuesit e institucioneve në komision. Në përgjigje Salianji deklaroi se kërkesa është bërë rreth një vit më parë, por sërish nuk kanë ardhur. Ai theksoi se Policia duhet të bënte punën për të parandaluar krimet. ”S’ka ndodhur ndonjëherë që kriminelët të diskutojnë se cili do të vrasë atë prokuror, cili do të eliminojë atë prokurorin tjetër. Ku është policia këtu, ku janë institucionet. Të gjithë këta që bëjnë këto janë njerëz të lidhur drejtpërdrejt me PS-në në fushata”, përfundoi Salianji.