Salianji mesazh nga burgu për protestën: Sot më shumë na forcuan, populli shkund çdo tirani!
Ervin Salianji ka shkruar një mesazh nga burgu, pak orë para nisjes së protestës së organizuar nga opozita. Ai shprehet se i takon opozitës të jetë forca e shembullit, ndërsa thekson se qëndresa e tyre është shpërbërja e qeverisë.
Mesazh i shkruar nga burgu
Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë! E dimë që menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan. Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre! Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jemi forca e shembullit.
Miq,
Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjies. Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë.
Të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile. Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga!
Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat! Reago, sepse forca dhe e drejta janë me ty! Reago! Reago për pagën e degraduar; për fitimin e munguar; për pronën e pafituar, për jetën e shtrenjtuar, për fjalën e cunguar, për shpresën e mpirë, për një Shqipëri më të mirë. Populli shkund çdo tirani! #Protesto#7Tetorora18:00