Salianji prezanton raportin për TIMS në Kuvend: Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për të qenë drejtor i departamentit të IT
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka raportuar para Kuvendit për punimet e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS. Salianji i cili drejtoi dhe Komisionin, tha se demokratët kërkuan në komision edhe dy muaj hetime shtesë për t’i shkuar deri në fund gjetjeve të komisionit, por u refuzua sipas tij nga socialistët pa justifikime të arsyeshme.
Ai nënvizoi se gjithashtu nga ana e socialistëve, u refuzua thirrja në komision e kryeministrit Edi Rama, si edhe ish-ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi. Nga ana tjetër, Salianji shtoi se Muça gjithashtu nuk ishte pajisur me certifikatën e sigurimit të personelit dhe ishte i dy punësuar në agjencinë e Kadastrës.
”Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për të qenë drejtor i departamentit të IT. Ai është proceduar penalisht në Itali për falsifikim dokumentesh në vitin 2007, iu është refuzuar leja e qëndrimit në vitin 2008, nuk ka plotësuar formularin e dekriminalizimit. Nuk ka kryer trajnimet e detyrueshme., Nuk ishte pajisur me certifikatën e sigurimit të personelit dhe ishte i dypunësuar në agjencinë e kadastrës. Emërimi i tij është bërë thuajse 10 ditë para se të hapej vendi vakant dhe 8 ditë para se të dilte urdhri i tij i emërimit”, u shpreh Salianji.