Salianji shkoi në burg, Bardhi vijon përballjen online me kryeministrin: Halli i Ramës është Olsi
Ervin Salianji ka shkuar në burg, dhe përballja online mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi vijon në rrjete sociale. Përmes një postimi këtë mbrëmje, Bardhi akuzoi Ramën se fushata e nisur prej tij ndaj opozitës ka një qëllim të vetëm dhe ajo është mbrojtja e vëllait të tij nga hetimi, për lidhjet me trafikantët e Xibrakësh. Mes të tjerash, Bardhi rendit dhe të gjitha denoncimet e tjera të opozitës që nga Saimir Tahiri apo inceneratorët, që sipas tij u mbrojtën nga Edi Rama.
Postimi i Bardhit
Olsi Rama është halli i Edi Ramës, jo drejtësia; njëlloj siç Geroni ishte halli i Fatmir Xhafajt, dhe jo drejtësia! Fushata e egër e Edi Ramës për dënimin politik të Ervin Salianjit nga disa gjyqtarë hallexhinj s’ka të bëjë me drejtësinë. Ai po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë.
Me të tilla fushata, e mbajmë mend që mohoi kanabizimin e vendit. Ne ishim shpifësit që i nxinim imazhin vendit. Mbrojti Saimir Tahirin. Edhe atëherë ne dolëm shpifës për trafikun e drogës me makinën e Ministrit të Brendshëm. Madje u dënuan dy zyrtarë të lartë të PD nga Dvorani me shokë, por e vërteta doli shpejt në dritë.
Mbrojti Elvis Roshin, Arben Ndokën, Armando Prengën, Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun, dhe të ngjashmit e tyre. Ne ishim shpifësit për akuzat e përdhunimit, vrasjeve dhe trafikur të drogës edhe për to. Mbrojti incineratorët. Ne shpifnim për korrupsionin, por një dyzinë zyrtarësh janë në burg për këtë.
Me këto fushata shpifjesh, sulmesh dhe dhune ndaj opozitës, Edi Rama ka mbrojtur çdokënd dhe çdo gjë që i rrezikonte pushtetin e vet.