Salianji zbulon orën kur do të shkojë në Polici, Bardhi: S’ka ngujim në PD, respektojmë vendimin

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji pritet të shkojë vetë në Policinë e Tiranës rreth orës 17:00, pasi Prokuroria e Tiranës firmosi këtë të premte urdhërarrestin. Është një mesazh që i është dërguar strukturave të PD, që të mblidhen para policisë.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në një dalje për mediat, tha se vendimi ndaj Salianjit është me urdhër të Ramës. Për këtë arsye ai paralajmëroi veprime politike ndaj mazhorancës. Si fillim u mendua ngujim i deputetëve në seli për të mos dorëzuar Salianjin, por ky i fundit ka zgjedhur të dorëzohet vetë. Bardhi deklaroi se pas këtij vendimi, nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me shumicën socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

”Qëndrimi i grupit të PD-së është që nuk duhet të pajtohemi, nuk duhet të nënshtrohemi. Qëndrimi unanim i të gjithë kolegëve ka qenë që Salianji të mos e zbatojë vendimin politik të Ramës. Sot u dënua çdo anëtar i grupit të PD-së, çdo qytetar i RSH që ka vendosur të jetojë në këtë vend. Prandaj dhe grupi sugjeroi ngujimin pa afat të të gjithëve deputetëve në seli e PD-së. Pa dyshim ishte vendim politik i grupit. Por krahas vendimit politik jemi detyruar të respektojmë vendimin personal të Salianjit që të përballet me të keqen edhe me koston të shkojë në burg pa prova. Kjo sakrificë e Salianjit, sakrificë në emër të çdo demokrati do duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për cilindo prej nesh. Kur një deputet i opozitës çohet në burg si shenjë hakmarrje e Edi Ramës rrezik për këdo. Me vendimin e djeshëm nuk ka rënë vetëm shteti ligjor”,-tha Bardhi.

Nga ana tjetër, Bardhi tha se ende nuk ka marrë një përgjigje nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku sipas PD duhet të merret autorizimi për arrestimin e deputetit Ervin Salianji. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali nuk do ta pranojë kërkesën PD për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Duke ju referuar nenit 71, sipas Kuvendit nuk është në kushtet kur nevojitet mbledhja e Këshillit për rastin e Salianjit. Kuvendi po pret shkresën zyrtare për Salijanin që më pas të njoftohet seanca për vakancën.

Nuk kanë munguar as akuzat e forta ndaj Artan Gjermenit, gjykatësi i Shkallës së Parë, për të cilin tha se vendos se çfarë thotë krimi. Gjatë konferencës me gazetarët, Bardhi u zotua se Partia Demokratike do t’i bëjë vetingun këtij gjyqtari, i cili do të shkojë në burg, sipas deputetit demokrat. “Artan Gjermeni, gjykatësi i shkallës së parë, do të shkojë në burg, pasi është një nga gjyqtarët që vendos çfarë thotë krimi. Atë vetingun që iu shmang, të jeni të sigurt që do t’ia bëjë Partia Demokratike”, tha Bardhi.

SHKARKO APP