Samiti Global i Arsimit në Londër, Kushi: Fokusi te cilësia e arsimit për t’u ringritur pas pandemsië
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se në fokus të Samitit Global të Arsimit në Londër ishte cilësia e arsimimit, si një mënyrë për t’u ringritur pas pandemisë së Covid 19.
Në ditën e parë të këtij samiti u organizua një pritje nga Lartësia e Saj Princesha Anne e Mbretërisë së Bashkuar, ku pikërisht u përcollën mesazhet e rëndësishme për gjithëpërfshirjen dhe arsimimin cilësor të çdo fëmije, thuhet në njoftimin për shtyp.
“E nderuar të merrja pjesë në Samitin Global të Arsimit në Londër, ku vëmendja e përfaqësuesve më të lartë nga e gjithë bota u përqëndrua tek arsimimi cilësor për çdo fëmijë, sepse kjo është mënyra më e mirë për t’u ringritur të gjithë së bashku më të fortë pas pandemisë“, shprehet Kushi.
Në kuadër të Partneritetit Global për Arsimin, u arrit ngritja e një fondi prej 4 miliardë dollarësh për 5 vitet e ardhshme, me fokus arritjen e Objektivit 4 për Zhvillim të Qëndrueshëm, adresimin e efekteve të Covid 19 në arsim, zhdukjen e pabarazisë dhe garantimin e gjithëpërfshirjes për çdo fëmijë.