Samiti i Ballkanit, Balla: BE i konsideron vendet në rajon, pjesë e familjes europiane

“Samiti i Ballkanit Perëndimor, të 6 majit, ri-dëshmon interesin e përhershëm të Bashkimit Evropian për rajonin dhe gatishmërinë për të përmbushur angazhimet dhe ambiciet e tij edhe në këto kohë të vështira.”. Kështu deklaroi numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Përmes një videomesazhi kreu i grupit të socialistëve, theksoi se kjo mbështetje dëshmon se BE i konsideron vendet në rajon tashmë pjesë të familjes.

Mes të tjerash Balla tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pajisen me një kornizë të qëndrueshme për anëtarësim dhe mbështetje gjatë këtij procesi.

MESAZHI I BALLES
Samitit i Ballkanit Perëndimor, të 6 majit, ri-dëshmon interesin e përhershëm të Bashkimit Evropian për rajonin dhe gatishmërinë për të përmbushur angazhimet dhe ambiciet e tij edhe në këto kohë të vështira. Ne jemi të kënaqur që Bashkimi Evropian ka dakordësuar një numër nismash në lidhje me rajonin, së bashku me një paketë të fortë mbështetjeje financiare në sfondin e pandemisë COVID-19 dhe pasojave të pritura të saj.

Kjo mbështetje dëshmon se BE i konsideron vendet në rajon tashmë pjesë të familjes. Kriza e tanishme, duhet të shndërrohet në një mundësi për të konsoliduar më tej Bashkimin Europian, me një bashkim të fortë me vlerat e tij thelbësore dhe, veçanërisht, një solidaritet të fortë midis anëtarëve të familjes evropiane.

Aspirata e vendeve për t’u anëtarësuar në BE e ka bërë Bashkimin me më shumë ndikim, duke forcuar aftësinë e tij për të promovuar ndryshime pozitive në vendet kandidate. Procesi i zgjerimit i lejon BE-së të ushtrojë ndikimin e saj dhe të fillojë reformat që përndryshe mund të marrë shumë më tepër kohë për t’u zbatuar në vendet kandidate, duke marrë parasysh faktin se BE është partneri i parë tregtar dhe donatori kryesor dhe ofruesi i ndihmës për të gjithë vendet e rajonit tonë.

Gjithashtu duhet të jemi të gatshëm për të luftuar dezinformimin që vijnë nga aktorët e tretë dhe për të promovuar iniciativat tona më me guxim në të ardhmen si në aspektin politik ashtu edhe përmes rritjes së dukshmërisë. BE duhet të thotë qartë se ne jemi partneri kryesor për rajonin kur bëhet fjalë për ndërtimin e demokracisë dhe drejtësisë sociale.

Ndërsa mirëpresim vendimin e Këshillit të 26 Marsit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne mezi presim zbatimin e konkluzioneve të tij. Angazhimi për Kriteret e Kopenhagës mbi vlerat themelore, institucionet demokratike dhe të përgjegjshme duhet të mbetet parimi ynë udhëzues pa asnjë kompromis.

Duhet të theksojmë kushtëzimin politik dhe financiar, me një lidhje të qartë për përparimin në zbatimin e masave të supozuara në negociatat për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mediave.

Zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të BE-së, duke zgjeruar fushën e demokracisë, paqes dhe prosperitetit në të gjithë kontinentin tonë dhe si e tillë është me interes të përbashkët si për BE ashtu edhe për vendet kandidate. Aspirata e vendeve për t’u anëtarësuar në BE e ka bërë Bashkimin më me ndikim, duke forcuar aftësinë e tij për të promovuar ndryshime pozitive në vendet kandidate. Për Grupin S&D, një fokus më i fortë është i nevojshëm në debatet publike brenda Shteteve Anëtare dhe shqetësimet e qytetarëve të BE-së në mënyrë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe i suksesshëm.
Aderimi i çdo vendi do të ndodhë vetëm nëse dhe kur plotësohen kushtet e nevojshme, pa asnjë tolerim. Ne insistojmë që përparimi i secilit vend të vlerësohet në mënyrë të drejtë në çdo fazë, rast pas rasti, dhe mbi bazën e kritereve të qarta të paracaktuara të bazuara në merita. Socialistët Evropian po kërkojnë veçanërisht një përfshirje dhe drejtim të procesit nga ana e vendeve kandidate dhe qytetarët e tyre.

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pajisen me një kornizë të qëndrueshme për anëtarësim dhe mbështetje gjatë këtij procesi, i cili siguron qartësi, parashikueshmëri, besueshmëri dhe koherencë dhe ku kushtëzimi është i sinqertë dhe premtimet mbahen.

SHKARKO APP