Samiti i BE-së në Tiranë, Klajda Gjosha: Mungoi vizioni. Rruga e Integrimit do të jetë e gjatë
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në një analizë të shkurtër për samitin e djeshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, thotë se deklarata e liderëve të BE-së ka një mungesë të vizionit dhe të një dokumenti strategjik për vendet e Ballkanin Perëndimor. Për të kjo tregon se Shqipëria dhe vendet e rajonit, do të kenë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme drejt integrimit në BE.
Postimi i plotë
Dëshiroj ta hap këtë status me faktin se nuk mund të qëndroj indiferente ndaj incidentit të ndodhur dje me liderin e opozitës shqiptare. Akt i rëndë i goditjes së fjalës së lirë dhe të drejtës së cdo kujt për të protestuar paqësisht! Kjo tregon se vendi ynë ka ende një rrugë të gjatë drejt integrimit të vlerave të demokracisë, qytetarisë dhe respektit ndaj të drejtave të gjithësecilit!
Duke u rikthyer te Samiti, patjetër që ai është historik, duke qënë se është i pari Samit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, dhe zgjedhja e Tiranës si qyteti mikpritës është një mesazh i vecantë për Shqipërinë. Një akt mirënjohje për një vend besnik ndaj Europës dhe vlerave të saj!
Duket qartë se lufta në Ukrainë ka dhënë dukshëm rezultatin e saj për të kthyer vëmendjen e BE-së drejt vendeve të rajonit dhe rëndësinë që ato kanë për paqen dhe sigurinë e vetë BE-së. Nga ana tjetër shohim dhe tendencën për të mos lejuar më daljen e investimeve strategjike jashtë bllokut Europian, duke tentuar kështu edhe forcimin ekonomik të BE-së, nëpërmjet përjashtimit të vendeve me influencë negative kundrejt saj!
Deklarata e miratuar mes liderëve të BE-së sjell disa vendime të rëndësishme për të ndihmuar vendet tona për krizën energjitike, krijimin e hapësirave për të rinjtë, për të studiuar në universitetet europiane me tarifa më të ulëta, mbështetjen për emigracionin e paligjshëm, e një sërë cështjesh që prekin probleme të përditshme të qytetarëve tanë.
Ajo c’ka mungoi nga ky Samit është vizioni dhe dokumenti strategjik për Ballkanin Perëndimor. Perspektiva e zgjerimit duket e vakët panvarësisht mbështetjes dhe mesazheve pozitive. Kjo tregon se Shqipëria dhe vendet e rajonit do të kenë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme drejt integrimit në BE.