Samiti i Berlinit, Berisha: Jo vetëm që nuk pati dokument, por Rama nuk punoi për shkrirjen e akujve Tiranë-Prishtinë

Një ditë pasi në Tiranë u mbajt Samiti i Berlinit, Sali Berisha doli sot nga selia blu, dhe mbajti një deklaratë për shtyp në lidhje me atë që ndodhi dje, ku tha se nuk solli shtensionim të situatës në rajon.

“Samiti padyshim u mblodh si shpresë për të sjellë mbështetjen e BE për rajonin dhe Shqipërinë. Në fakt, të paktën për Shqipërinë, shpresa ngriu në oborrin e samitit. Kjo sepse Kryeministri i Greqisë ia plasi në fytyrë Edi Ramës në samit, duke deklaruar se Greqia do të bllokojë Shqipërinë për arsye se ky vend, Shqipëria, nuk respekton shtetin ligjor dhe vlerat evropiane. Edi Rama, të dashur qytetarë, për interesa të tij mafioze, konkretisht të Oltës dhe Olsit, vëllait të tij, mban të burgosur politik Fred Belerin dhe në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, nuk lejon betimin e tij”, tha Berisha.

Kreu i Rithemelimit nga ana tjetër, theksoi edhe se Samiti i Tiranës nuk pati një deklaratë që të mbetet si një dokument themelor historik i tij. Berisha më tej tha se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet tokë sherri në Europë.

“Samiti ishte ngjarja më e madhe për rajonin. Rikonfirmonte mbështetjen e perspektivës evropiane për kombet e rajonit. Vetë, me mbledhjen e tij në Tiranë, samiti sillte në Ballkanin Perëndimor, antidotin e sherrit, por ky efekt nuk pati. Pse kjo? Sepse përtej fasadës, mikpritësi është vetë sherri. Ai, në prag të samitit, jo që nuk synoi qetësimin e sherreve ekzistuese, në të cilat ai vetë është përfshirë, por bëri gjithçka që t’i hapte ato më shumë. Tre ditë përpara samitit, ai mbajti një fjalim koprolalik të llojit të Enver Hoxhës, kundër udhëheqjes politike të Kosovës dhe Kryeministrit Albin Kurti, për fajin e vetëm se kanë kundërshtuar ndërhyrjet brutale të tij si argat i Vuçiçit në punët e brendshme të vendit të tyre dhe projektin antishqiptar të ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë”, vijoi Berisha.

Ai hodhi akuza edhe që Rama jo vetëm që nuk punoi për shkrirjen e akujve mes Tiranës dhe Prishtinës, por në prag të samitit bëri të kundërtën, vazhdoi luftën e ftohtë të nisur prej vitesh nga ai. “Përveç këtyre, ajo që ra në sy ishte paraqitja hund e buzë e kryeministres Brnabiç në krah të argatit të Beogradit. Me gjuhën e trupit dhe mimikën shpërfillëse, ajo shprehu mesazhin e padronit të tij, argatit, se nuk ke bërë mirë detyrën, ishe zotuar se Kurti nuk do vinte në samitin e Tiranës”, vijoi Berisha.

SHKARKO APP