Samiti i Diasporës, ministri Balla: Regjistrim i banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi në Samitin e Diasporës se është hedhur për konsultim një ndryshim ligjor për deklarimin e adresës për shqiptarët që jetojnë jashtë. Balla theksoi se regjistri i gjendjes civile në 1 nëntor 2023 numëron 4,607,338 shtetas shqiptarë.

“Shqipëria ka emigrantë, po nuk dimë saktë sa. Aq më pak dimë, ku janë. Ajo që na duhet të dimë është sa shqiptarë jetojnë këtu apo aty, dhe saktësisht ku. Arsyet përse, janë legjitime, por së pari t’u shlyejmë një pjesë të borxhit që atdheu ka ndaj tyre. Gjithashtu na duhet të dimë ku janë, që tu ofrojmë shërbime. Kanë mbi tre dekada që kanë ndërtuar jetën e tyre, të ardhmen aty. E besoj se shteti ka detyrë, madje jemi shumë të vonuar, të garantojë shërbime për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, në shtëpinë e tyre”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm u shpreh se, është hedhur për konsultim një ndryshim ligjor për deklarimin e adresës për shqiptarët që jetojnë jashtë.

“Na duhet ta bëjmë regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë, pasi mendojmë se kjo do jetë ura jonë e komunikimit. Shteti shqiptar komunikon me shtetasit e tij jashtë Shqipërisë për t’i dhënë çdokujt që jeton jashtë, shërbimin aty ku banon”, tha ai.

Ministri nënvizoi se përmes nismës së fundit është propozuar shtimi i numrit të shërbimeve, për këtë kategori qytetarësh në adresën e tyre jashtë vendit. Përjashtimi i tyre nga taksat vendore. Balla tha se lidhja e diasporës më Shqipërinë i kapërcen kufijtë.

SHKARKO APP