Samiti i Paqes, Spiropali: Integrimi, proces i zhvillimit të brendshëm
Në fjalën e saj përshëndetëse në Samitin e Paqes dhe Sigurisë për Europën Juglindore që po zhvillohet në Tiranë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali vuri theksin tek nevoja për të qenë të duruar në rrugën drejt paqes.
Sipas Spiropalit, “rruga drejt saj hapet me këmbëngulje, me politika më të mira për më shumë barazi në shoqëri dhe më shumë drejtësi”.
Spiropali vlerësoi misionin e këtij samiti për të promovuar vlera universale, jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe rajonal.
“Gjëja më e rëndësishme është si i marrim mesazhet dhe i përfshijmë njerëzit në lëvizje. Është mbresëlënëse mënyra se si funksionon në fakt ky organizëm duke prekur çështje thelbësore e duke përfshirë njerëz që super struktura nuk i përfshijnë në vendimmarrje”, – tha Spiropali.
Duke folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ministrja u shpreh se “ne procesin e shohim si një proces zhvillimi të brendshëm dhe është i padiskutuar vullneti ynë për të bashkëpunuar me Kosovën, me fqinjët e tjerë për të bërë të mundur atë që është bashkimi me familjen tonë natyrale, Europën. E thjeshtë ta thuash, por janë vite të tëra provash, përpjekjesh dhe ëndrrash që u forcuan nga energjia e brendshme e njerëzve të zakonshëm. Ne këtë energji po e përkthejmë në politika më të mira për qytetarët e në vizione të përbashkëta bashkëpunim këtu në Shqipëri, por dhe në rajon”.
Spiropali nënvizon në mbyllje të fjalës së saj se “ndryshimi në vend nga dje në sot është i dukshëm dhe rrënjësor, ama kjo nuk duhet të na bëjë të vetëkënaqur”./ATA