Samiti i SEECP në Tiranë, presidenti Begaj: Serbia dhe Bosnja refuzuan deklaratën përfundimtare
Presidenti Bajram Begaj, në përmbyllje të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se Deklarata e Tiranës nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Sipas tij, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e votuan dokumentin përfundimtar. ”Ishte deklaratë e Tiranës. Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të SEECP-së. U refuzua nga Serbia dhe Bosnja, të cilat kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët”, tha Begaj.
Për Kosovën, Begaj u shpreh se, ”ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës është një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, që është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë përpara dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës për të pasur ato shërbime të mira publike”.
Lidhur me pretendimet e Serbisë, Begaj tha se ”Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë. Unë mendoj që siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë. Siguria është një term dhe definicion më i përhapur më i gjerë dhe çfarë sot ndodh në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjithë vendet e botës”. Samiti i SEECP-së u mbajt sot në Tiranë, nën drejtimin e Presidentit Begaj, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit.
KOHA JONË SONDAZH

