Sandër Lleshaj: Njësia e re Antikorrupsion do të luftojë krimin ekonomik dhe korrupsionin
“Situata e sigurisë dhe rendit, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mira se sa të gjitha vitet që kemi kaluar”. Kështu deklaroi sot në Vlorë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një komunikim me gazetarët pas takimit të zhvilluar me strukturat e Policisë së Vlorës.
Ai pohoi ngritjen e një tjetër Njësie Antikorrupsion, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin.
Është folur për ngritjen e një tjetër Njësie Antikorrupsion. Por për t’u formalizuar ajo, kryeministri Rama është shprehur se do të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, veçanërisht me ata izraelitë. Çfarë do të jetë kjo Njësi e re, ndryshe nga të tjerat që janë krijuar deri tani dhe kur pritet të formalizohet?
Njësia është në krijim e sipër, nuk mund të them sesi do të jetë trajta përfundimtare e saj, por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot.
Cili do të jetë ndryshimi nga Anti-KÇK-ja e të tjera? A nuk duket se do të jenë në një vijë lineare të tëra?
Kur të formalizohet do të dini detajet.
Anti-KÇK-ja, a do të shtrihet edhe në Vlorë, dmth a ka indicie?
Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Si është situata në Vlorë, e rendit, qetësisë, kriminalitetit?
Atë besoj e dini ju më mirë se unë.
Flitet për një situatë më të mirë gjatë vitit që lamë pas, por statistikisht situata nuk është më e mirë sesa vitet e kaluara?
Situata, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mirë, sesa të gjitha vitet që kemi kaluar, por sigurisht kjo nuk është një arsye që ne të flemë. Përkundrazi ne synojmë të shtojmë intensitetin e punës së Policisë dhe strukturave të tjera për ta përmirësuar më tej rendin, sigurinë publike në Vlorë.
Thatë se do të ketë një forcim të pozitave të Policisë duke hequr disa kompetenca, të cilat deri tani kanë qenë kontrollimi i territorit apo asgjësimi i lëndëve narkotike. Është ky le të themi, një pozicion më i volitshëm për Policinë e Shtetit për të bërë detyrën?
Ne sigurisht, mendojmë dhe besojmë fort që mbështetja e Policisë është mbështetje për qytetarët. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Policinë në mënyrë që ajo t’i ketë të gjitha atributet për ta plotësuar misionin e saj mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë.
Në disa nga emrat e prekur nga “Operacioni Forca e Ligjit” ka dhe vendim të Gjykatave për sekuestrim pasurie. A nuk duhet pritur vendimi i gjykatave, pa u vepruar nga “Operacioni Forca e Ligjit”?
Ligji i parashikon këto situata. Ligji nuk konkuron, nuk krijon situata konkuruese midis procedurave të ndryshme. Nëse ka procedura që po zhvillohen ndërkohë nga gjykata, ligji nuk vepron. Faleminderit!