Saranda ul çmimet deri në 20 %, Vlora çel zyrtarisht sezonin
Me shpresë e pasiguri, qytetet bregdetare nisën sezonin e ri veror! Në garën për të tërhequr sa më shumë pushues, operatorët turistikë në Sarandë kanë ulur nga 20 deri në 40 % çmimet, por thonë se gjithçka do të varet nga politikat që do të ndiqen me kufijtë për shkak të pandemisë.
Operatorët turistikë në Sarandë kanë ulur çmimet deri në 20 % këtë sezon turistik përgjatë së cilit synohet rigjallërimi i sektorit pas një viti të vështirë mes pandemisë së koronavorusit.
Mes situatës së paqartë të turizmit, në fundjavë bregdeti gjallërohet.
Përveç shqiptarëve të Kosovës, në Sarandë ka edhe të huaj, si ky pushues i ardhur nga Izraeli.
“Më pëlqen Shqipëria, njerëzit janë shumë miqësorë, natyra është e mrekullueshme, mendoj se do të qëndroj për pak kohë në Shqipëri. Në Sarandë më pëlqen fakti se plazhet janë të mira.”
Të pasigurt për ecurinë e sezonit, hotelierët në Sarandë kanë vendosur të sfidojnë me çmime të ulta dhe të shfrytëzojnë të gjitha resurset që qyteti ka.
“ Kjo është edhe arsyeja që vitin e kaluar kishim një numër të konsiderueshëm vizitorësh, pra 20-25% dhe në rastet kur hotelet kanë ulje çmimesh rritet deri në 30-40%. “
Sipas kreut të Shoqatës së Operatoreve Turistik në Sarandë, Arben Çipa muaji qershor do të jetë deçiziv për Sarandën.
“Në rast të hapjes së kufijve me Greqinë, sipas tij jugu do të përfitonte së paku 4000 turistë ditor në javë, të cilët mbërrijnë përmes Korfuzit.”
Shumë e rëndësishme është hapja e kufirit me Korfuzin, i cili bën të mundur prurjen e një numri të lartë turistësh.
Pritshmëritë janë për turistë kryesisht nga lindja, ndërsa agjensia Apollo ka anuluar prenontimet nga pushuesit nordik për muajit korrik-gusht.
Me festë dhe ftesën “Eja në Vlorë” sezoni turistik veror nisi zyrtarisht edhe në Vlorë, ku vec detit, pushuesit ftohen për tu njohur me historinë e trashëgiminë.
Përgjatë fundjavës, pushuesit ditorë kryesisht vendas dhe shqiptarë të Kosovës gjallëruan të gjitha plazhet nga jugu i thellë deri në Velipojë Shqipëria ashtu si pjesa tjetër e botës është ende larg të kthyerit në normalitetin e plotë për shkak të pandemisë së koronavirusit.