Sarandë, mushkonjat kthehen në problem për pushuesit

Në Sarandë për disa netë me radhë ka vijuar spërkatja e parqeve, lulishteve, vendqëndrimeve të mbeturinave dhe mjediseve të tjera publike kundër insekteve. Qëllimi kryesor janë mushkonjat që e kanë shqetësuar seriozisht zonën e plazhit përgjatë 2 muajve të fundit.

Specialistët thonë se spërkatja që duhej të ishte kryer që në prill do të parandalojë rrezikun edhe prej insekteve të tjera parazitare për bimësinë dekorative. Nënkryetari i bashkisë njëherazi agronom Ramis Husi tha se spërkatja është e parrezikshme për popullsinë.

Saranda, Ksamili dhe gjithë vija bregdetare janë përballur edhe më parë me fenomenin shtetësues për pushuesit. Përveç lagështisë ndotja duket se e ka favorizuar praninë e mushkonjave. Pak vite më parë rreth 600 palma u rrezikuan në Sarandë nga buburreci i kuq.

Saranda ka humbur mjaft hapësira të gjelbra gjatë tri dekadave të fundit. Qyteti ka vetëm 0,5 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për frymë, ose rreth 20 herë më pak se standardi i pranuar.

SHKARKO APP