“S’bën Zoti vaki! Ky është turp”! Akuzohet se i vrau babain, Gjin Guri mbron kushëririn

Gjin Guri, personi që mbeti i plagosur në atentatin e rëndë të ndodhur në Dukagjin disa ditë më parë, ku humbi jetën babai i tij, ka hedhur poshtë pretendimet e policisë se djali i xhaxhait Gjovalin Guri është autori i kësaj ngjarje të rëndë.

Në një intervistë për News24 nga spitali Ushtarak në Tiranë, Gjin Guri e quan të turpshëm faktin që policia ka shpallur në kërkim kushëririn e tij si autor i dyshuar.

“O se di kush është fare autori, por më ka thënë nipi se kanë akuzuar djalin e xhahxait. Kjo s’bën Zoti vaki. Nuk kam asnjë të keqe nga ata. Shteti ka bërë një gjest të turpshëm, mos të rrijë i fjetur dhe të shikojë provat. Nuk është djali i xhaxhait. Unë ha, dal e rri e pi me ta. S’kam dyshime tek ai njeri. Puna më e keqe është që më kanë akuzuar djemtë e xhaxhait. Unë s’kam pasur asnjë konflikt. S’kam parë njeri kush na qëlloi.”– tregon ai.

Gjin Guri tregon edhe se ngjarja ndodhi teksa po shkonte me babain nga Shoshi në drejtim të Shkodrës me kamionçinë, kur papritur u qëllua me automatik nga të paktën dy persona që ndodheshin të fshehur në disa metra mbi rrugë. Ai shprehet se ndërsa devijoi me dashje në humnerë për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave, babai i tij u qëllua për vdekje.

Këtë deklaratë i plagosuri Gjin Guri e ka dhënë edhe për Policinë e Shtetit duke hequr çdo dyshim të mundshëm se vrasja e babait të tij Zef Guri është bërë nga kushëriri Gjovalin Guri dhe duke i kërkuar policisë që të gjejë autorët e vërtetë.

Edhe i dyshuari Gjovalin Guri një ditë më parë nga arratia mohoi akuzat duke kërkuar nga policia që të gjejë autorët e vërtetë të vrasjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 shtator në aksin Shosh-Kir në Dukagjin.

SHKARKO APP