“SchoolME”, shkolla e parë digjitale në të gjitha bibliotekat e rikonstruktuara në Tiranë

Në mendjet e shumë njerëzve, teknologjitë e reja janë sinonim me arsimin e së ardhmes. Teknologjitë me zhvillim të shpejtë ofrojnë mundësi emocionuese për të nxënë, ato përmirësojnë arritjet e nxënësve, sepse mbështeten nga idetë e reja që mundësojnë një proces mësimor – edukativ të transformuar. Ndaj pas zbatimit me sukses në mbi 40 shkolla të ndryshme 9 – vjeçare gjatë vitit të shkuar arsimor, projekti “SchoolME” (www.schoolme.education) do të shtrihet edhe në të gjitha bibliotekat e rikonstruktuara në qytetin e Tiranës si dhe në bibliotekat publike në Korcë, Elbasan, Lezhë, Shkodër.

 

Nëpërmjet këtij projekti synohet nxitja e afrimit te nxënësve me librin, por edhe siguron një partneritet të qëndrueshëm mes shkollave dhe bibliotekave në zhvillimin e aktiviteteve audiovizuale përgjatë gjithë vitit shkollor. Aksesimi i të parës shkollë digjitale për arsimin 9 – vjeçar përmes bibliotekave bëhet në kuadër të gjithëpërfshirjes së komunitetit të shkollave në afërsi të bibliotekave duke i ofruar alternativa studimi edhe në formatin digjital.

“School Me” mundëson qasje audio dhe video, në të gjithë aspektet kurrikulare. Për çdo klasë, përmbajtjet lëndore respektive dhe renditja e temave, përputhen me kurrikulën zyrtare, në sinkron me kalendarin shkollor. Lëndët e arsimit 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar dhe shoqërohen me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike të zhvilluara nga institucione arsimore e shkencore ndërkombëtare, për të thelluar dhe përfshirë sistematikisht në kurrikul dijet e reja dhe metodat bashkëkohore të nxënies.

SHKARKO APP