“Së shpejti emërojmë një prokuror të Eurojust”, Kreu i KLP takim me delegacionin e Prokurorisë belge: Magjistratët duhen trajnuar
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, bashkë me Zëdhënës Kryetari i Këshillit, Alfred Balla, dhe anëtarët Bujar Sheshi dhe Sandër Beci, pritën sot në një takim zyrtar delegacionin e Zyrës së Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës. Delegacioni belg përfaqësohet nga z. Frédéric Van Leeuw, Prokuror Federal, z. Eric Bisschop, Zëdhënës Prokuror Federal, z. Julien Moinil, Magjistrat Federal dhe znj. Oeljana Radelicki, Eksperte Ligjore.
Delegacioni ndodhet për një vizitë zyrtare tre ditore në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve nënshkruar në Bruksel në vitin 2011. Takimi zhvillohet në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësisë dhe përafrimit të praktikave të hetimit në nivel ndërkombëtar.
Kryetari i Këshillit, Gent Ibrahimi, ka paraqitur para të pranishmëve në takim, sfidat dhe arritjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në një vit nga krijimi i tij duke nënvizuar faktin se ky Këshill garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, Ibrahimi theksoi faktin se sistemi i prokurorisë në vend po rifreskohet me magjistratë të rinj nga prurjet e Shkollës së Magjistraturës, të cilët në mënyrë imediate duhet të ndjekin trajnime të vazhdueshme sidomos në fushën e bashkëpunimin dhe shkëmbimin të informacionin në nivel ndërkombëtar. Pavarësia dhe efikasiteti të sistemit duhen të jenë në themelet e kësaj reforme, u shpreh kreu i Këshillit, Gent Ibrahimi i cili informoi delegacionin belg se Këshilli do të emërojë së shpejti një prokuror në Eurojust si pikë kontakti për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të emëruar pranë këtij institucioni prestigjioz.
Nga ana e tij, Prokurori Federal i Zyrës së Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, z. Frederic Van Leeuw shprehu konsiderata të larta për punën e deritanishme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar, koordinimi sa më i mire i informacionit dhe veprimit hetimor, do të garantojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë sepse të gjithë do të punojnë së bashku. Gjatë takimit u vlerësua se suksesi i reformës në drejtësi do të garantohet nga zbatimi rigoroz i saj.