Seanca e parë për Kajmakun, gjykata pranon provat nga prokuroria

Edhe pse është në arrati, këtë të mërkurë u mbajt seanca e parë për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Gjykata Penale e Tiranës ka pranuar provat e dorëzuara nga Prokuroria. Seanca e radhës do të zhvillohet më 18 qershor, ku do të merren në pyetje edhe dëshmitarët. Akuzat ndaj tij janë për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumentave zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies së tij”.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Kajmaku ka falsifikuar datën e shkarkimit të dy nënkryetarëve të Bashkisë dhe në vend të tyre ka emëruar shefin e kabinetit të tij, Gentian Picari. Ish-kryebashkiaku i Vorës u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fill pasi u denoncua nga Partia Demokratike se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek.

Ai erdhi në krye të Bashkisë së Vorës nga zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit dhe dënimin në Greqi nën emrin Jorgo Tota, nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit. Pas kësaj ngjarje Kajmaku u arratis dhe u shpall në kërkim.

SHKARKO APP