Seanca për Kosovën, ja çfarë pritet të ndodh këtë të enjte në Kuvend
Këtë të enjte, seanca plenare do t’i dedikohet plotësisht Kosovës, ku pritet që ligjvënësit shqiptarë të votojnë një rezolutë e cila dënon sulmin e serbëve ndaj policisë së Kosovës.
Sali Berisha deklaroi se PD-ja do të kërkojë të votohet rezoluta e tyre, pasi mazhoranca sipas tij, refuzon të bëjë përgjegjëse Serbinë për sulmin ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës.
Vendim i cili u ndryshua në konferencën e kryetarëve që u mbajt mesditën e së mërkurës ku u dakordësua për miratimin e një rezolute. Axhenda parashikon zhvillimin e një mocioni me debat për këtë çështje, ndërsa i pranishëm do të jetë vetëm kryeministri Edi Rama dhe ministri i jashtëm Igli Hasani që do të shpjegojnë qëndrime e mbajtura nga Tirana zyrtare deri më tani.
Opozita ka kritikuar ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama se KFOR duhet të marrë në kontroll situatën në veri të Kosovës, duke e akuzuar se po mban të njëjtin qëndrim me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Debate të forta pritet të ketë edhe për shkak mungesës së 8 deputetëve të PD. Gazment Bardhi dhe 7 deputetët të tjerë janë përjashtuar nga punimet e kuvendit për 10 ditë, për shkak të bllokimit të foltores seancën e shkuar.