Sejdarasi: Sqarim për “taksën e pronës”
Nga Bardhi Sejdarasi.
..shoh që ka pak informacion dhe shumë panjohuri lidhur me atë që shumë kolegë e quajnë “taksa e pronës”, por që nuk është e tillë në fakt! Është taksa e pasurisë që shqiptarët e paguajnë prej shumë vitesh, ku përfshihet taksa e pronës, ajo e truallit dhe taksa e tokës bujqësore! Kam pasur rastin ta sqaroj disa muaj më parë. Po e shkruaj këtu më poshtë atë që kam thënë më herët, për të ndihmuar me informacion edhe disa kolegë që po organizojnë emisione dhe biseda në studio (dhe mirë bëjnë) meqë po afrohet …1 Prilli!
Qeveria shqiptare i është rikthyer strategjisë së përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për mbledhjen e taksës së pasurisë së shqiptarëve, duke ndryshuar mënyrën e taksimit të banesave. Kjo taksë sot aplikohet në rreth 58 milionë metër katror banesa dhe sjell në buxhet vetëm 0,13 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm.
Tre misione të Fondit Monetar Ndërkombëtar të viteve 2014-2015, i janë dedikuar implementimit të kadastrës fiskalë, instrumentit ligjor që do të përirësojë mbledhjen e taksës së pasurive të paluajtshme të shqiparëve. Kam analizuar rëndësinë e kalimit nga metoda e taksimit mbi bazë sipërfaqe në metodën e taksimit mbi bazë vlerë si dhe shifrat aktuale të këtij taksimi, si një nga taksat vendore, të cilat supozohet të kenë një ndikim të madh në të ardhurat e buxheteve të njësive të qeverisjes vendore.
Në raportin e FMN-së i datës 24 mars 2014 dhe raporti për mënyrën e implementimit të Kadastrës Fiskale pas misionit në datat 25 shtator deri më 8 tetor 2014, analizohet se, taksa mbi ndërtesën që aplikohet aktualisht, në qytet llogaritet në rreth 30.6 milion m2, ndërsa në fshat llogaritet rreth 27.0 milion m2, kaq sa është sipërfaqja e banesave të rregjistruara. Vlerësimi i të ardhurave të përfituara nga kjo taksë sipas Censusit të 2011, do të ishte rreth 17 milion $, ose 0.13% të GDP.
Aktualisht, tregu më aktiv është tregu i ndërtesave dhe për këtë arsye, synohet të fillohet me kategorinë ‘ndërtesa’ dhe më pas, në një fazë tjetër, të përfshihen edhe kategoritë e tjera të pasurive të paluajtshme objekt të kësaj takse, si psh trualli dhe toka bujqësore.
Sipas të dhënave me burim zyrtar Ministrinë e Financave:
Për njëtremujor të vitit 2017, në rang vendi janë mbledhur vetëm 11,2 % ose rreth 472 milion lekë, taksa e pasurisë mbi tokën bujqësore 3,28 % ose vetëm 138 milionë lekë. Tirana mbledh pjesën e luanit të kësaj takse, rreth 1,6 miliardë lekë për vitin 2016, dhe vetëm 211 milionë lekë në tre muaj të 2017, aq sa unë kam pasur të dhëna zyrtare.
Ndryshimi ligjor i 1 prillit pritet të sigurojë 2,5 herë më shumë të ardhura nga kjo taksë, ose 0,32 % të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm. Nga sa kam dijeni, qeverisja vendore dhe funksionet e saj kushtojnë rreth 3 Euro në muaj për çdo banor, ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tarifat janë në nivelin 1.4 euro në muaj për banor. Kështu që kadastra fiskale nuk është vetëm domosdoshmëri….
KOHA JONË SONDAZH

