Sejko: Gati plani i masave për rritjen e kreditimit
Banka e Shqipërisë është duke hartuar një plan masash, që, sipas Guvernatorit Gent Sejko, synon përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit.
Kjo iniciativë që pritet të rigjallërojë procesin e kreditimit të shëndetshëm, është ende në fazë konsultimi me bankat, të cilat që në nisje kanë shprehur aprovimin e tyre. Kjo u vu në dukje edhe në takimin e radhës, së mbajtur dje, ku përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave shprehën dakordësinë mbi hartimin dhe zbatimin e këtij plani, i cili do të shërbejë si një platformë ku të gjithë aktorët e tregut pritet të japin kontributin e tyre për të nxitur procesin e kreditimit. Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kreditimi ndaj familjeve dhe bizneseve është një proces me rëndësi të ndërsjellë për të gjitha palët, ku një përqasje sa më aktive ndaj tij do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, jo vetëm për industrinë bankare, por dhe për ekonominë e vendit.
KREDITIMI
Në takimin me anëtarët e bordit drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Sejko u ndal në zhvillimet kryesore ekonomike në vend në gjysmën e parë të vitit dhe veçanërisht në ecurinë e sektorit bankar, ku theksoi se të dhënat e fundit tregojnë një përmirësim të aktivitetit të këtij sektori në drejtim të kredidhënies, si dhe në uljen e kredive me probleme. Në fokus ishte edhe projekti për krijimin e Byrosë Kombëtare të Kredisë, për të cilën Sejko ka shprehur mbështetjen e plotë për realizimin dhe funksionimin e saj. Krijimi dhe vënia në funksionim e Byrosë Kombëtare të Kredisë është cilësuar një vlerë e shtuar për sektorin bankar, falë rolit që do të luajë në vlerësimin e kredimarrësve sipas nivelit të rrezikut.
RREGULLORJA E RE
Një tjetër çështje më rëndësi, e trajtuar gjatë takimit, ishte rregullorja “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”, miratuar së fundmi në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës dhe e quajtur ndryshe “Qasja e Tiranës”, e cila është hartuar në kuadër të plotësimit të angazhimeve të marra nga Banka e Shqipërisë në Planin Ndërinstitucional të Masave për Reduktimin e Kredive me Probleme. Qëllimi i kësaj rregulloreje, sipas Bankës së Shqipërisë, është lehtësimi i rimëkëmbjes financiare të kredimarrësve të mëdhenj në vonesë, të cilët kanë ekspozim në më shumë se një bankë dhe parashikon ngritjen e një platforme të përbashkët midis bankave për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për kredimarrësin. Lidhur me këtë projekt, drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave u shprehën mjaft optimistë për miratimin e rregullores së dhe efektet pozitive që ajo pritet të japë për të bërë të mundur reduktimin e kredive me probleme.
KOHA JONË SONDAZH

