Sejko: Përmirësim i aktivitetit ekonomik në gjysmën e dytë të 2020, 2/3 e vendeve të punës janë rikthyer
Ndikimi negativ i pandemisë vijon të jetë i pranishëm në sektorët e ekonomisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh ditën e sotme në një konferencë për mediat se kredia me probleme ka pësuar rënie gjatë vitit të kaluar, por situata pritet të ndryshojë në vijim.
Sejko: Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.7% gjatë vitit 2020, duke ndihmuar bizneset dhe familjet shqiptare në përballimin e nevojave për likuiditet dhe duke ofruar mjetet e nevojshme financiare për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë. Ky sektor ka marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, duke ruajtur në të njëjtën kohë tregues të shëndetshëm likuiditeti, rentabiliteti dhe kapitalizimi. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Vijimi i këtij roli aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike.
Një nga sfidat e Bankës së Shqipërisë është edhe forcimi i pozitave të lekut kundrejt euros.
Sejko: Në mbyllje të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektivin, ndaj vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%. Në orientimin për tregjet, Këshilli Mbikëqyrës konfirmoi se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, duke synuar të sigurojë kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv. Stimuli monetar në formën aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar do të vazhdojë të paktën dhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Lidhur me vendet e humbura të punës gjatë pandemisë, Guvernatori bëri me dije se 2/3 e tyre janë rikthyer sërish.
Sejko sqaron se ekonomia shqiptare në vijim do të varet nga masat shtrënguese dhe zgjatja e pandemisë.