Sejko: Rënie ekonomike deri në 8% për vitin 2020, ringritja do fillojë…
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se është nënshkruar dje me kryeministrin Edi Rama urdhri për shtyrjen e kësteve të kredive edhe me një tre mujor tjetër.
Në një lidhje për “News24”, Sejko sqaroi se shtyrja do të duhet ët jetë e fundit dhe se do ët jetë e vlefshme si për individët ashtu edhe për bizneset, por shtoi se ata duhet ët vërtetojnë tek banka që kanë vështirësi financiare.
“Do kemi një shtyrje të kësteve të kredisë për një tre mujor tjetër. Kemi nënshkruar dje me kryeministrin një urdhër, në të njëjtën normë i herën e parë. Shtyrja është e vlefshme edhe për individët dhe bizneset. Klientët duhet ta vërtetojnë para bankave që kanë vështirësi financiare. Vendimi është në funksion të kësaj shtyrje tre mujore. Kemi edhe implikime fiskale, në mënyrë që efekti të jetë i plotë dhe kemi marrë një vendim të përbashkët, kjo në kuadrin e koordinimit institucional, për të tejkaluar situatën.
Kjo duhet ët jetë shtyrja e fundit, kjo shtyrje tre mujore është aplikuar si herën e parë, por dje u mor dhe vendimi për lehtësimin dhe ndryshimet rregullative për t’i mundësuar bankave një ristrukturim më të thellë, për të lehtësuar klientët. Shtyrja tre mujore do të jetë e fundit, pasi bankat kanë mundësinë e bashkëpunimit me klientë të bëjnë rregulla të reja ristrukturimi kredish.
Në total kemi një portofol prej 2 mld eurosh të kredive të shtyra, me 23 mijë klientë, në tre mujorin e parë. Tani do të shohim në këtë tre mujor si do të evolojë. Besoj se gjatë tre mujorit të dytë do të jetë një shifër edhe më e ulët”, tha Sejko.
Ndërsa foli për pritshmëritë ekonomike, Sejko tha se në vlerësimin e deritanishëm, pritet një rënie ekonomike në vlerën 5-8% për vitin 2020, ndërsa shtoi se ringritja do të fillojë në tre mujorin e parë të vitit 2021.
“Ne jemi duke kryer analiza për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Është e gjithë pranuar që 2021 do ketë një rënie të fortë ekonomike, pasi të gjitha shtete kanë qenë të detyruar të mbyllen, Kjo ka pasur efekt shumë të fortë në ekonomi që do shkaktojë rënie të fortë ekonomike për vitin 2020, shifrat janë të thella si për shtete e zhvilluara ashtu edhe për ato në zhvillim.
Në vlerësimin e deritanishëm, kemi vlerësuar që viti 2020 do ketë një rënie ekonomike në vlerën 5-8%. E rëndësishme është që ne të koordinojmë politikat dhe masat që të kemi një ngritje sa më të shpejtë të ekonomisë. Nëse nuk do kemi tjetër krizë, viti 2021 do ketë rritje ekonomike.
Në rast se nuk do kemi një rikthim të pandemisë, por një hapje graduale, parashikojmë që ringritja do fillojë në tre mujorin e parë të 2021. Goditja më e fortë që ka marrë ekonomia është tre mujori i dytë të vitit 2020. Kjo krizë do të ketë efekte negative tek bizneset”, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.