Sejko: Stabiliteti financiar i bankave, i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm
Banka e Shqipërisë bën të ditur se sektori bankar mbetet i shëndetshëm, me tregues mjaft të mirë likuiditeti, kapitalizimi e rentabiliteti.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, tha sot se, “ky sektor garanton ruajtjen e kursimeve të familjeve shqiptare dhe ka ndihmuar ekonominë me fondet e nevojshme për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve”.
Sejko, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, vlerësoi ecurinë pozitive të sistemit bankar gjatë vitit 2024.
“Flasim për stabilitet financiar, fasim për sigurinë e depozitave, të kursimeve të qytetarëve, të bizneseve dhe në radhë të parë të qytetarëve shqiptarë. Nëse themi sot se bankat janë të mirëkapitalizuara dhe norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar mbi mesataren e nivelit 20%. Në kërkesat që ne kemi për rritje të kapitalit sipas standardeve ndërkombëtare dhe të BE-së, bankat vijojnë të rrisin kapitalin nga fitimet e tyre. Kjo tregon se kemi një tregues shumë të shëndetshëm paralelisht me një tregues të mirë likuiditeti dhe kreditim në shifra dyshifrore”, tha Guvernatori.
Sejko deklaroi se, “kreditimi ka shënuar një hap pozitiv cilësor gjatë vitit 2024, duke shënuar normën më të shpejtë të ekspansionit të dekadës së fundit, me një rritje mesatare vjetore afër 17%”.