Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Kuko: Presidenti do jetë figurë përbashkuese

Si do të jetë Presidenti i ri i vendit? Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Romina Kuko, thotë se ndoshta për herë të parë në historinë e pluralizmit është një proces gjithëpërfshirës dhe nuk i përket vetëm një partie politike, siç mund të ketë ndodhur më parë. Për përfshirjen e qytetarëve për të propozuar kandidatë të mundshëm, deklaroi se synohet që Presidenti të jetë një figurë përbashkuese mbi palët.

“Kushdo qytetar që ka një propozim mund të shkruaj tek adresa email grupips@parlament.al. Do të kemi konsultim edhe me shoqërinë civile. Do të jetë një proces gjithëpërfshirës, lajmi është që na ndan nga e shkuara me një proces hermetik për zgjedhjen e kreut të shtetit me një President mbi palët.

Kam më shumë se tre emra dhe në mendje kam identikitin se si duhet të jetë Presidenti, një figurë përbashkuese, dinjitoze e cila ka në zemër interesin më të lartë të qytetarëve nuk ka rëndësi nëse do të jetë grua apo burrë. Ajo që qytetarët duan në Presidencë është dikush mbi palët që i jep qetësi dhe dinjitet institucionit.

Kam kolege të mrekullueshme dhe dinjitoze që e kanë treguar ndër vite se kanë shërbyer me devotshmëri dhe mund të jenë të denja”,-tha në “MCN”.

SHKARKO APP