Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Caka: Fitojmë minimumi 31 bashki
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, ish-deputetja Silva Caka thotë se në koalicionin mes PL dhe “Rithemelimit” nuk ka asnjë kompleks në lidhje me përcaktimin e vendeve në listën e Këshillave Bashkiak. Sipas saj koalicioni fiton së paku 31 bashki dhe ndër to dhe bashki të mëdha.
”Është marrëveshje që po punohet dhe do bëhet publike. Nuk besoj që ka ndonjë kompleks në lidhje me përcaktimin e vendeve, sa kohë qëllimi është të dalim fitues. Këshillat për ne janë cilësuar shumë të rëndësishëm. Duke i dhënë këtë rol, nuk mendoj që duhet të merremi me gjërat kush do jetë i pari. Unë i justifikoj kërshërinë që ka media, po nuk gjykoj se nuk është gjëja që duhet të na marrë vëmendjen.
Duhet të dalësh me alternativën më të mirë dhe kjo duhet të ketë rëndësi dhe kur të kompozohen listat. Vijueshmëria e bashkëpunimit me PD ka qenë edhe kur drejtohej nga njerëz që nuk e meritonin suportin. Nuk ka nevojë për garanci kur ka qenë mëse i qartë suporti ndaj Primareve, iniciativave të marra. Është mirëkuptim më i gjerë dhe nuk ka nevojë për garanci. Marrëveshja e koalicionit dhe ajo politike do jetë një lloj garancie.
Janë 21 bashki të falimentuara, nuk arrijnë të mbledhin taksa e as t’i menaxhojnë. Çdo të thotë? Bashkitë nuk ofrojnë shërbime. Kujt i duhet një administrator qoftë i zgjedhur apo i emëruar që nuk di të menaxhojnë. Të falimentojë Vora që ka një numër të caktuar biznesesh? Minimumi 31 dhe shumë të mëdha. Tirana është e padiskutueshme. Një nga arsyet pse njerëzit e urrejnë Ramën është Veliaj”.