Sekretet e ushtrisë dalin sheshit

Shtatë helikopterë të gjeneratës së katërt, ku tre prej të cilëve janë duke u riparuar. Ky ishte informacioni që dha Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në Komisionin e Sigurisë, por të vërtetën në sallë e dha deputeti opozitar Ferdinand Xhaferri, i cili informacionin e klasifikuar që i ishte vënë në dispozicion, e bëri pjesë të përballjes në debat me ministrin.

“Gjendja e gatishmërisë së helikopterëve është e ulët. Nga katër cougar në gatishmëri ka qenë vetëm një, sot asnjë. Nga 2 ec 145 asnjë në gatishmëri për më shumë se dy vite. Pa folur për helikopter AB206, AB205, BE105. Të cilët kanë më shumë se katër vite pa shërbime”,-u shpreh Xhaferraj.

Këto të dhëna të klasifikuar nuk duheshin bërë publike, gjë që shkaktoi ndërhyrjen e menjëhershme të ministrit dhe ish-shefit të Shtabit, deputetit socialist Bardhyl Kollçaku.

“Duke qenë nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të bësh të njohura kapacitete me dobësi apo pa dobësi të forcave të armatosura është shkelje ligji për informacionin e klasifikuar që ju sapo e konsumuar”.

I gjendur në këtë situatë, ministri i Mbrojtjes kërkoi fikjen e kamerave për t’u përgjigjur por pikërisht kur Peleshi mendonte se nuk e dëgjonte kush tjetër përveç deputetëve, teknika e Kuvendit hapi gabimisht për disa çaste fillimisht audion e më pas edhe figurën.

“Tani ju kërkoj fikni komunikimin publik. Me këtë kompani kemi prishur kontratën për dy helikopter që po i çojmë në NATO sepse siç e thash po na nxjerr ujin e zi. Ju duhet të bashkoheni me mua, jo të bëheni kundër meje, kundër nesh kundër shtetit shqiptar, për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar”, u shpreh Peleshi.

SHKARKO APP