Sekuestrimi i RTV Ora dhe Ora News, gazetarja nga Italia: Kur Berlusconni ishte në gjyq, Mediaset nuk u prek
Korrespondentja nga Italia e Ora News, Alba Kepi ka shprehur shqetësimin për vendimin e SPAK për sekuestrimin e RTV Orës si dhe prezencën e forcave speciale në ambjentet e jashtme të saj.
Në një lidhje direkte, ajo bëri një paralelizëm me televizionin Mediaset në pronësi të ish-kryeministrit Silvio Berlusconni.
Ajo u shpreh se gjatë kohës që Berlusconni ishte në procese gjyqësore vite më parë për akuzat që rëndonin mbi të, televizioni Mediaset nuk u prek kurrë nga shteti, as sekuestro e as rrethim nga forcat speciale të policisë.
Kepi: Ishin të pakonceptueshme. Nga e vërteta kanë frikë ata që janë të përlyer. Ne vazhdojmë të bëjmë mirë punën tonë, ndaj kemi një reagim të tillë nga politika. E gjej të paimagjinueshme që forcat speciale të ndërhyjnë në një media. Pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar në Itali. Dhe kam ndjekur hap pas hapi proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Silvio Berlusconni i cili është pronari i një prej mediave më të mëdha në vend, Mediaset. Nuk kam kurrë një reagim të tillë nga forcat policore në zyrat e Mediaset apo të përcillen imazhe të tilla për proceset gjyqësore. Ai është akuzuar për lidhje me mafian, investime për partitë politike e shumë të tjera. Por asnjëherë nuk kam parë që Mediaset apo gazetarët e saj të intimidohen në mënyrë të tillë nga forcat speciale. Nuk janë vënë asnjëherë në diskutim puna e kësaj media. Nuk është intimiduar dhe sekuestruar asnjëherë.
Gazetarja ka një thirrje për të gjithë mediat dhe kolegët gazetarë që të ngrihen dhe të mbrojnë fjalën e lirë, pasi një gjë e tillë mund të ndodhë me çdo media tjetër në rast se preken interesat e qeverisë.
Kepi: Prej shumë vitesh ne përcjellim lajmet më të fundit. Kemi përcjellë raporte të mafias italiane, Guardia di Finanza që sinjalizonin lidhjet e bandave me politikën shqiptare. Këto janë raporte reale e të shkruara. Këtë lajm e kam përcjellë me kolegët e mi në Itali. Është një sulm politik pasi me atë që shoh, jemi e vetmja media opozitare që përcjellim asgjë veçse të vërtetës. E kanë dëshmuar dhe qytetarët gjatë emisionit të mëngjesit të cilët telefononin dhe shprehnin shqetësimin e tyre. Kjo duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë mediat e tjera që sot janë në krah të qeverisë dhe gazetarët që nuk shprehen. I bëj thirrje që të reflektojnë dhe të kuptojnë që nesër, e njëjta gjë mund t’i ndodhë edhe atyre.