Sekuestrohen 28 kg drogë, 9 të arrestuar në Itali. Mes tyre edhe një shqiptar
Nëntë të arrestuar dhe 19 të tjerë në kërkim në Bologna dhe në rajonet e Lombardisë dhe Toskanës në Itali. Ky është bilanci i operacionit policor të koduar “Shoferët”, i kryer nga karabinierët e kompanisë së San Giovanni në Persiceto dhe që e mori emrin nga numri i madh i makinave që u përdorën nga kriminelët, të moshës 20 deri në 30 vjeç, për të sjellë sasi të mëdha droge në sheshet dhe dyqanet në zonën e poshtme të Bolonjës, në kufi me provincën e Ferrara.
Me ndihmën e helikopterëve dhe njësive të qenve, Karabinierët zbatuan urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Bolognas, me kërkesë të Anti-Mafias kundër shtatë shtetasve italianë, një ekuadoriani dhe një shqiptari, të akuzuar për shoqëri kriminale që synonte trafikimin e drogës dhe zhvatjen, shkruan mediat italiane, raporton Ora News.
28 kile drogë dhe 260 mijë euro të sekuestruara
Hetimi, i koordinuar nga Kryeprokurori i Bolonjës, Giuseppe Amato dhe nga zëvendësprokurorët Roberto Ceroni dhe Michele Martorelli, filloi në mars të vitit 2020 me përgjime telefonike dhe mjedisore, dhe vëzhgimin dhe ndjekjen që zbuloi trafikun e drogës në zonat e Cento dhe San Giovanni në Persiceto, kryesisht hashash dhe marihuanë, por edhe kokainë që shitej me pakicë në Bologna, Modena, Ferrara dhe Ravenna, shkruan Ora News.
Sipas autoriteteve italiane, lënda narkotike vinte nga Spanja.
Policia arriti të sekuestrojë 28 kg kokainë, hashash dhe marijuanë si dhe 260 mijë euro.