Sekuestrohen armë, heroinë e kokainë, RENEA e “Shqiponjat” vijojnë aksionet masive në terren, 21 të arrestuar (Video)
Duke marrë shkas nga ngjarjet kriminale në vend, Policia e Shtetit është angazhuar në terren për rritjen e sigurisë, si dhe vënien në pranga të eksponentëve të krimit. Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Në të gjithë vendin, janë ngritur 73 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se janë ushtruar kontrolle në dhjetëra mjete, banesa, lokale dhe ambiente të ndryshme. Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar dy armë zjarri, municion luftarak, 12 kilogramë kanabis e doza me heroinë. Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 21 shtetas, janë proceduar penalisht 4 të tjerë, si dhe janë ndaluar 7 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 51 persona për verifikim. Në Peqin, gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin A.Gj., 63 vjeç, banues në fshatin Përparim, Peqin, të cilit në automjetin tip “BMW” me të cilin qarkullonte iu gjet një armë zjarri pistoletë tip TT, 3 krehëra dhe 21 fishekë.
Në Vlorë, gjatë kontrolleve në banesa e ambiente, në zbatim të planit të masave u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Y. S., 63 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti 12 kg lëndë narkotike dhe disa kubikë bimë të dyshuara kannabis sativa.
Po gjatë kontrolleve, shërbimet e policisë së Vlorës kanë bërë shpalljen në kërkim të shtetasit B. M., 51 vjeç, banues ne fshatin Velçë, Vlorë, pasi policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri gjysmë automatike model 56 dhe municion luftarak. Në Tiranë, janë vënë në pranga 4 shtetas të cilëve iu janë gjetur me vete doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Gjithashtu janë proceduar e arrestuar në Korçë e Berat 4 shtetas, për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Gjithashtu, në Tiranë, Fier, Elbasan e Lezhë, janë kapur 7 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale. Si dhe në të gjithë vendin janë vënë në pranga 15 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi apo në gjendje të dehur.