Sekuestrohen pasuritë e tre ish-gjyqtarëve, Kim-Soreca: Reforma në Drejtësi po ecën përpara
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sekuestrimin e pasurive të Fatos Lulos (ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedjas (ish-kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimit (ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë). Vendimi erdhi pas kërkesës së SPAK dhe bazuar në hetimet penale nga ku rezultuan të dhëna se ish-gjyqtarët kishin në pronësi pasuri të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.
Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, lidhur me ngjarjen thotë se Reforma në Drejtësi po ecën përpara ”Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK-ut për sekuestrimin e aseteve të 3 ish-gjyqtarëve që nuk kaluan dot Vetting-un për fshehje asetesh. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë dhe perfekte, por po ecën përpara, hap pas hapi”, shkroi Kim në Twitter.
Edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, reagoi për vendimin, ku thotë se SPAK ka bërë një punë të mirë dhe po ndjek detyrat për të luftuar korrupsionin. ”Lajm i mirë sot që Gjykata Speciale ka pranuar kërkesën e SPAK për të sekuestruar pasuritë e 3 ish-gjykatësve të shkarkuar nga Vetting-u. Një hap tjetër që tregon se SPAK është duke ndjekur detyrat e tij për të luftuar korrupsionin. Reforma e Drejtësisë vazhdon”.
Njoftimi i plotë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji.
Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
II. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
III. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon: 1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi, Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi