Sekuestrohet një shumë e madhe eurosh në Kakavijë dhe Morinë
Goditen 2 raste të veprës penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi” dhe 1 rast i veprës penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” në pikën kufitare të Kakavijës dhe të Morinës.
NJOFTIMI I POLICISE
Në Kakavije dhe Morinë sekuestrohen 61.150 euro, procedohen penalisht 2 shtetasit që nuk i deklaruan në kufi.
Në portin e Vlorës sekuestrohen dhjetëra steka me cigare pa pullë fiskale, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Në Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 21.350 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në Kakavije, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, shtetasin K. Q., 49 vjeç, banues në Berat dhe rezident në Greqi, i cili udhëtonte si pasagjer në një automjet. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në çantën e 49-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar 39.800 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës dhe DVP Gjirokastër u proceduan penalisht shtetasit E. S. dhe K. Q., për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Në portin e Vlorës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë dhe me autoritetet doganore, arestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me detyrim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, shtetasin A. S., 55 vjeç, banues në fshatin Gerces, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ky shtetas është arrestuar në flagrancë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e markës “Mercedes Benz”, që drejtohej nga ky shtetas, në pjesën e brendshme të kabinës, janë gjetur të fshehura dhjetëra steka me cigare pa pullë fiskale, të cilat 55-vjeçari nuk i kishte deklaruar tek autoritetet doganore.
Policia Kufitare do të intensifikojë kontrollet, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me qëllim goditjen e çdo paligjshmërie.