Sekuestrohet sërish kokainë në Portin e Durrësit, ishte fshehur në një kontenier me prodhime deti

Një tjetër sasi kokaine është sekuestruar në Portin e Durrësit, ku është skanuar kontenieri i ngarkuar me prodhime deti që vinte nga Ekuadori.

Forcat blu bëjnë me dije se është arrestuar administrator i firmës ku do të mbërrinte kontenieri, ku ishte fshehur një sasi rreth 7 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me prodhime deti që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë”, njofton policia.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e kapakëve të ventilimit u gjetën pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë rreth 7 kg dhe një GPS, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të operacionit policor të koduar “Urbanor”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë 35-vjecarin e identifikuar me inicialet D. D., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP