Selami Xhepa: Dëmi ekonomik nga tërmeti i parikuperueshëm
Eksperti i ekonomisë, dhe ish-deputeti i PD, Selami Xhepa i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora foli për faturat financiare të tërmetit të 26 nëntorit.
Xhepa tha se dëmet ekonomike nga pasojat e tërmetit tragjik janë të parikuperueshme në vitet në vazhdim.
Selami Xhepa: “Fatkeqësisht lajmet negative që ka pasur ekonomia përgjatë gjithë vitit 2019 po ofrojnë që edhe për vitin 2020 barra apo pesha e ngjarjeve negative do vazhdojë të jetë edhe më e fortë. Vettingu i politikës, që pati kosto ka kaq të madhe për ekonominë, performanca ekonomike e vendit tonë ka qenë e moderuar për të mos thënë mediokre. Kostot dhe fatura financiare që ekonomia jonë do jetë e detyruar të bëjë për të përballuar dëmin shumë të madh që iu është bërë ekonomisë, në fakt është një dëm që fatura financiare, se kjo do varet nga shkalla dhe ambicia e qeverisë, sepse është qeveria që do e përcaktojë, por si dëm ekonomik, ajo zhbërja e pasurisë së individit dhe e pasurisë kombëtare dhe efekti që ka për rritjen ekonomike jo vetëm në 2019 por dhe në vazhdimësi janë të parikuperueshme.”
Eksperti i ekonomisë tha se burimi i rëndësishëm i financimit deri tani ishin të ardhur nga emigracioni. Por kjo gjë sipas Xhepës nuk do ndodhë më.
Selami Xhepa: “Besoj se bëhet fjalë për 10-15% të prodhimit të brendshëm kombëtar që është kompromentuar ndjeshëm dhe për më tepër meqenëse kjo pasuri që është krijuar deri tani ka pasur burim të rëndësishëm të financimit të saj, kryesisht të ardhurave nga emigracioni, gjë që tani e tutje nuk do të jetë më pasi emigracioni nuk do vazhdojë të ushqejë më atë kërkesë.”