Selami Xhepa: Në Shqipëri paga mesatare 160 euro më e ulët se në Kosovë

Kur jemi pak muaj larg zgjedhjeve të ardhshme të 25 prillit, PD-ja dhe LSI, kanë nisur të shpalosin programet e tyre. Në to, një rol të rëndësishëm ka dhe punësimi.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, është i mendimit se vështirësitë ekonomike, kanë shtyrë shqiptarët të emigrojnë drejt vendeve të ndryshme të botës.

Në një intervistë për Ora News ai tha se pagat mesatare mujore janë tepër të ulëta, për të mos shtuar këtu dhe kushtet që janë tepër të vështira.

“Lidhur me tregun e punës unë mendoj se kemi disa dobësi të rëndësishme strukturore. Në radhë të parë burojnë nga struktura e ekonomisë në përgjithësi. Fatkeqësisht përtej premtimeve elektorale të 300 mijë vendeve pune, në fakt nëse do të shohim statistikat, të dhënat fatkeqësisht janë shumë kontradiktore.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore raporton se nga viti 2013 deri në dhjetor të vitit 2018 kemi një shtesë me gati 75 mijë vende pune. Ndërsa shikojmë të dhënat e institutit të statistikave kemi të dhëna të terja statistika, kështu që duket se kemi të dhëna kontradiktore. Përtej statistikave të cilat duhet t’i marrim me një shkallë dhe një rezervë, kemi probleme që lidhen me strukturën e ekonomisë në përgjithësi. Vendet e punës edhe kur krijohen, krijohen në industri që ofrojnë nivele pagash tepër të ulëta.

Bëhet fjalë për një pagë mesatare rreth më pak se 400 euro, çka do të thotë dhe krahasuar me vendin me nivelin më të ulët të pagave në rajon siç është Kosova. Në shqipëri paga mesatare 160 euro më e ulët se në Kosovë. Pa krahasuar më pas me Malin e Zi dhe vendet e ndryshme të rajonit.

Fatkeqësisht gjithashtu po të shikosh strukturën e punësimit, më shumë se gjysma e të punësuarve në Shqipëri raportojnë paga që janë më pak se 30 mijë lekë në muaj ose 300 mijë lekë të vjetra. Kjo lloj shpërblimi që jepet për mundin, djersën, sakrificën janë të pakta. Kushtet e punës janë shumë të vështira. Kryesisht dominojnë punët manuale me nivel të ulët të produktivitetit”, tha Xhepa.
Për të minimizuar largimin e shqiptarëve nga vendi, Xhepa nënvizoi se do të ishte e udhës që të krijohej një klimë motivuese, e cila sipas tij përkthehet në shpërblime. Ky ndryshim sipas ekspertit do të krijonte kushtet e nevojshme e shanse të mira që qytetarët të mos largohen nga vendi.

“Në përgjithësi tregu i punës ka paraqitur jashtëzakonisht probleme sa i takon krijimit të një klime motivuese dhe iniciativave të nevojshme në mënyrë që ata që punojnë përmes rritjes së produktivitetit, të marrin shpërblime më të mira, të përmirësojnë standardin e jetesës së tyre dhe kjo të jetë një proces i përhershëm dhe dinamik.

Kjo ndoshta do të krijonte shanse të mira dhe qytetarët të mos largoheshin nga Shqipëria dhe të krijohej ajo shtresa e mesme e munguar për të cilën flitet shpesh”, tha eksperti.

SHKARKO APP