“Sëmuren” profesionistët
Dobësimi i shikimit, problemet me shtyllën kurrizore, mungesa e kohës për socializim, stres dhe ankth, deri te komplikimet në zemër. Këto janë disa prej rreziqeve që u kanosen profesionistëve në fusha të ndryshme, ose sipërmarrësve. Ekspertët e fushave përkatëse bëjnë thirrje për balancimin e jetës profesionale me atë personale, si dhe të formave për të reduktuar stresin e ankthin në rritje…
Të ulesh para një kompjuteri për gjithë ditën mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Dhembjet në shpinë, sytë e skuqur dhe problemet me gjumin mund të jenë pasoja të një mjedisi pune me nivel stresi në rritje apo edhe e jetës sedentare. Më keq akoma, niveli i stresit shkon deri në ankth, apo në probleme me zemrën.
Të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: puna! Qoftë kjo biznesi që drejton apo një punë ku je i kontraktuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka shpallur ‘sëmundjet profesionale’ si problematike kudo në botë; ato nisin nga problemet me sytë, shtyllën kurrizore dhe deri te sëmundjet që vijnë nga sektorë të cilën konsiderohen të rrezikshëm, si për shembull minierat.
Mjekja okuliste, Stela Ceca, shprehet se nga përvoja e saj profesionale ka parë jo rrallëherë persona që vuanin nga Sidroma Vizive nga Kompjuteri dhe nga sforcimi i syrit, duke mos marrë për bazë këshillat e duhura për shmangien e tyre. Ajo shton se rreth 50-90% e njerëzve në kontakt me kompjuterin (kryesisht për punë) vuajnë nga shkallë të ndryshme të kësaj sindrome, statistikë kjo për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë. Dr. Ceca thotë se shpesh, probleme të tilla shkaktojnë uljen e produktivitetit në punë, kënaqësinë e të punuarit dhe performancën e përgjithshme në karrierë.
KOHA JONË SONDAZH

