Serbia, homazhe në kujtim të Esad Pashë Toptanin

 

Ministri serb ka folur fjalë të zgjedhura për figurën e Esad Pashës, duke theksuar se ai duhet të jetë shembull i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë, edhe sot.

“Serbia i kujton heronjt e saj. (…) Por, Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe nuk do ta harrojë kurrë Esad Pashën, i cili ka qenë me ne, edhe në çastet më të vështira”, ka deklaruar Vulin për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug.

Vulin ka kujtuar se tërheqja e ushtrisë serbe (nga Shqipëria v.j) nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e Esad Pashës, dhe këtë ai e ka paguar me kokë.

“Ai e ka pa paguar me kokë dashurinë e tij ndaj popullit serb dhe ndaj Serbisë, nga ata që e kanë urryer Serbinë më shumë se sa e kanë dashur vendin dhe popullin e vet”, citohet të ketë thënë Vulin.

Ai ka theksuar se Esad Pasha duhet të kujtohet dhe të zë vendin që e meriton në histori.

“Esad Pasha është mik i popullit serb. Ai është harruar padrejtësisht, është shprefillur padrejtësisht nga historia, madje edhe nga historia jonë. Esad Pasha është shembull se si do të duhej të bashkëpunonin Shqipëria dhe Serbia. Rruga e Esad Pashës është rrugë e marrëveshjes, rrugë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai ka qenë një shqiptar që i ka dashur serbët, prandaj nuk bën të harrohet”, është shprehur Vulin.

Tanjug kujton se, gjatë Luftës së Parë Botërore, Esad Pashë Toptani kishte qenë në krah të aleatëve dhe të serbëve dhe se e kishte ndihmuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga Fronti i Selanikut, nëpër Shqipëri, duke i siguruar kalim të sigurtë, vendosje dhe ushqim. 

“Illyria”

SHKARKO APP