Sërish për Shqipërinë në Evropë por në rrethana të ndryshuara
Nga Genc Pollo
Tek ne debati mbi çeljen e negociatave për anëtarsim të vendit tonë në BE shpesh është emocional e obsesiv. Kjo e largon fokusin nga impakti real i negociatave. Si dhe nga disa rrethana politike aktuale në BE që e ndryshojnë disi kuptimin e sloganit ” E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
1. Kur nuk sheh hënën por gishtin që e tregon atë
Është njohur parabola e personit që nuk kërkon çelësin e humbur në qoshen e errët ku i kishte rënë nga xhepi por diku më tutje ku rruga ndriçohej nga llamba bashkiake: shpjegimi ishte se nuk kishte kuptim t’a kërkonte aty ku nuk mund të shihte dot dhe mbase e sillte fati a mrekullia t’a gjente çelësin e aty ku shikonte.
Në një emision televiziv gazetarja më pyeste se a do të çelen deri në qershor negociatat për anëtarësim të Shqipërisë (e të Maqedonisë së Veriut) me Bashkimin Evropian. Ju përgjigja se nuk e dija; se nuk e kisha idenë nëse Sofja e Shkupi do mundeshin të zgjidhnin problemin e të hiqnin nga rruga veton bullgare. Në emision shpjegova pikëpamjen time se më e rëndësishme se hamendësimi për datën do të ishte të kuptonim çfarë pasojash konkrete do të sillnin negociatat për Shqipërinë: patjetër që me to kalohet në një stad shumë të rëndësishëm të rrugëtimit drejt BE; teknikisht në stadin final që duhet të përfundojë me anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Por meqë ky stad parashikohet të jetë i gjatë, disa dekada thonë, do të ishte e arsyeshme dhe e dobishme të konsiderojmë efektet konkrete të tij. Meqë parashikimi nuk është shkencë ekzakte lipset të shqyrtojmë një përvojë paralele: atë të Serbisë. Beogradi negocion me Brukselin që nga viti 2014. Gjatë këtyre tetë viteve Serbia post-milosheviçiane ka njohur regresin më të madh përsa i përket shtetit ligjor e demokracisë. Natyrisht jo se negociatat e kanë shkaktuar apo edhe ndihmuar këtë regres. Thjesht negociatat dhe në përgjithësi ndikimi i Evropës e i Perëndimit, nuk mundën të ndalin këtë regres; madje nuk ndalën dot as flirtin e Vuçiçit me fuqi rivale e armiqësore ndaj Evropës e Perëndimin siç u pa dramatikisht së fundmi.
Në vendin tonë regresi ka ndodhur tetë vitet e fundit edhe pse progres-raportet kanë folur për, kuptohet, progres. Madje edhe 15 kushtet e famshme të përcaktuara në mars 2020 nga Këshilli Evropian (në vijim të 9 kushteve të Bundestagut) e për të restauruar disa standarde bazike të shtetit ligjor e demokracisë, nuk janë përmbushur plotësisht. Këtë e dëshmon indirekt por qartë edhe rezoluta mbi Shqipërinë e miratuar në Parlamentin Evropian para dhjetë ditësh. Ose më direkt raporti Moneyval para tre javësh duke konfirmuar se asnjë përparim nuk është arritur me luftën kundër pastrimit të parave (kushti nr. 4). E megjithatë kjo nuk e ka penguar Komisionin e shtetet anëtare në Këshillin Evropian që të deklarojnë se kushtet janë përmbushur dhe prandaj negociatat me Shqipërinë lipset të fillojnë.
Në këtë kontekst është më e rëndësishme të reflektojmë se çfarë efekti do të kenë konkretisht negociatat dhe kushtëzimi që ato bartin kur qeveria e shtetit negociator nuk ka vullnetin të përmbushë standardet evropiane. Përveçse në letër! Sidomos në rastin e Shqipërisë ku kryeministri që në fillim i ka mohuar se 15 kushtet ekzistojnë (për të thënë pak kohë më vonë me gojën e ministres se ato janë përmbushur). Mbase ndodh një mrekulli e Brukseli ndryshon qasjen dhe bëhet më direkt e açik. Le të shpresojmë. Pa harruar se për demokracinë tonë jemi ne vetë përgjegjës.
Gazetarja në studio disa herë gjatë bisedës si dhe në fund të saj ngulmoi me pyetjen se a çelen negociatat në qershor. Insistimi i saj reflekton disi retorikën ngulmuese në vitet e fundit të shumë politikanëve, aktivistëve, ekspertëve etj. të fiksuar mbi fillimin e negociatave me Tiranën e Shkupin. Mbase krahasimi i tyre me çelës-kërkuesin e parabolës tonë është paksa i tepruar; por fetishizimi i një vendimi unik si çelës i ndryshimit epokal me gjasë është iluzion që prodhon zhgënjim.
2. Charles Michel në Tiranë dhe zhgjëndrra evropiane
Vizita në Tiranë javën e shkuar e presidentit të Këshillit Evropian z. Charles Michel nuk mund të quhet rutinë pasi ai deklaroi se i kishte kumtuar kryeministrit se Shqipëria e shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të kishin perspektivën e “Anëtarit të Asociuar” me Bashkimin Evropian. Se çfarë do të thotë kjo z. Michel nuk e sqaroi në konferencë shtypi por tha se ja kishte shpjeguar Edi Ramës.
Përzgjedhja e termit është “Anëtar i Asociuar” si perspektivë e jona është paksa kontradiktore. Shqipëria është shtet i asociuar me Bashkimin Evropian që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në prill 2009. Po kështu edhe Kosova, Serbia, Maqedonia V., Mali i Zi e Bosnje-Hercegovina. (fjala “Stabilizim” që ju shtua emërtimit standard “Marrëveshje Asociimi” lidhej me situatën fill pas përfundimit të luftërave në ish Jugosllavi).
Por më i rëndësishëm se terminologjia është thelbi i konceptit: në samitin e BE në v. 2003 në Selanik gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor ju ofrua (premtua) perspektiva evropiane e anëtarësimit të plotë në BE. Pra që një ditë Shqipëria e pesë të tjerët e rajonit do të ishin anëtarë me të drejta të plota të Unionit. Njëlloj si Kroacia, që u anëtarësua e fundit në v. 2013.
Statusi Anëtar i Asociuar është degradim politik i statusit Anëtar i Plotë. Ende nuk ka një përkufizim të plotë, zyrtar e publik të këtij statusi. Por debati rreth tij bëhet prej kohësh e haptazi në thinktanke si dhe flitej privatisht nga politikanë të ndryshëm. Së fundmi politikanë të rangut të lartë madje edhe ministra të jashtëm në BE janë shprehur publikisht ngjashëm me z. Michel në Tiranë. Sipas këtij koncepti Shqipëria mund të ketë akses në sektorë të caktuar të Tregut të Përbashkët Evropian si dhe në disa programe ekonomike të mbështetura nga fondet e kohezionit. Deri tani vetëm anëtarët e plotë kishin këtu akses të pakufizuar; ndërsa shtetet aspirante nuk kishin fare akses deri në momentin kur bëheshin Anëtarë të Plotë. Pra kemi një zgjidhje të ndërmjetme. Nëse prevalon ky koncept Shqipëria etj. nuk do të kishte as përfaqësim në Këshillin Europian ku mblidhen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE dhe as eurodeputetë me votë në Parlamentin Evropian. Aksesi i pjesshëm në treg e programe do të kushtëzohet me përmbushjen e kritereve politike e standardeve teknike evropiane. Ky akses mund të pezullohet nëse shënohet regres në kritere e standarde.
Një aranzhim deri diku të ngjashëm kanë Zvicra e Norvegjia. Këto dy shtete po të donin mund të anëtarësoheshin nesër në BE. Ata nuk kanë probleme me kriteret politike dhe ekonomike. Por për arsyet e tyre politike kanë zgjedhur këtë raport me Brukselin.
Shqipëria e Ballkani nuk mund të krahasohen me Zvicrën e Norvegjinë. Në rajonin tonë shtetet, me të drejtë, kanë shpallur objektiv kombëtar anëtarësimin në BE që kur rrëzuan regjimet komuniste. Pse duhet të harrojmë anëtarësimin e të kënaqemi me asociimin është një debat i gjatë ku shpresoj se fokusi do të mbetet tek mangësitë në vendet tona e tek evidentimi i përgjegjësive të dukshme e mos-dëshirat e fshehura të pushtetarëve ballkanas. Pa rënë në retorikën “fajin e ka Evropa” që e kemi hasur me tepri deri në bezdi nga qeveria rilindiste.
Debati do të ishte më i plotë nëse do të prezantoheshin avantazhet e dizavantazhet e të dy statuseve. Në shikim të parë duket se me statusin Anëtar i Plotë nga çelja e negociatave deri në anëtarësimin (hipotetik) do të kalonin vite e mbase dekada dhe aksesi ynë do të ishte vetëm fondi IPA që të ndihmon për standardet e anëtarësimit. Me statusin Anëtar i Asociuar nuk kemi detyrimisht stacionin politik final të “Shqipërisë si gjithë Evropa” por disa stacione të ndërmjetme; secili me kostot e përfitimet e tij.
3. Riorientimi butaforik
Siç duken aktualisht bathët vetoja bullgare ndaj Shkupit do të mbetet në fuqi; si pasojë konferenca ndërqeveritare nuk do të mblidhet këtë qershor dhe negociatat nuk do të çelen as për ne.
Rama ka sinjalizuar se do të kërkojë “decoupling”, pra që kërkesa e Shqipërisë të trajtohet veçmas nga ajo maqedonase. Një qëndrim të tillë ka mbajtur më parë edhe kreu i shtetit e shefi i opozitës. Ky është një pozicion i logjikshëm sepse vetoja e motivet e saj duken të pakuptueshëm për njerëzit jashtë qerthullit bullgaro-maqedonas; meqë gjëja u zgjat me tepri duken edhe të paarsyeshme madje të papranueshme. Por duhet thënë se ky qëndrim nuk është vendim. Vendimmarrja për këtë çështje mbetet në Bruksel e jo në Tiranë a në Shkup.
Para tre vjetësh kur Këshilli Europian nuk çeli negociatat me këto dy vende vetëm për faj të Tiranës (Shqipëria ka probleme me shtetin ligjor u deklaroi kryeministri holandez Rutte mediave) kancelarja Merkel shpjegoi në konferencë shtypi pse nuk filluan procesin vetëm me Maqedoninë e Veriut: druajtja nga reagimet e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Ndoshta situata ka ndryshuar; mbase Brukseli mendon se avancimi vetëm me Shqipërinë nuk krijon probleme matanë Qafë Thanës.
Gjithsesi krekosjet e Ramës që propozimin e decoupling e paraqet si ndryshim kursi madhor të Atdheut mund të na ishin kursyer. A thua se po deklaron hapur se do t’i kthejë krahët Evropës e Perëndimit dhe do të shikojë gjetiu; p.sh. tek Osmania apo tek filiali ballkanik i Romës së Tretë. Se çfarë ka bërë nën rrogoz është tjetër çështje.
Po kaq pa vend ishte edhe deklarata e tij para ca vitesh në Mal të Zi ku deklaronte se po qe Brukseli nuk i jepte aksh gjë atëherë ai do të shihte bashkimin me Kosovën. Ndryshe nga zakoni këtë herë Brukseli reagoi hazër-xhevap: nuk i merremi me të tilla deklarime se nuk janë serioze por pompoze tha pakashumë Komisioneri.