Server: Konflikti mes PS dhe PD, më i ashpër se ai mes serbëve dhe boshnjakëve në Bosnje

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi se përtej ndryshimeve pozitve që ka pësuar vendi, ajo që bie në sy është konfliktualiteti i lartë politik.

“Mendoj se ende keni probleme serioze me kontestimin politik. Ende keni socialistët dhe demokratët, që e urrejnë njëri tjetrin, ndoshta më shumë se ç’urrejnë serbët dhe boshnjakët njëri – tjetrin në Bosnjë”, tha Server në RTSH.

Balkanologu Server u shpreh se palët politike në Shqipëri duhet të përqafojnë një kulturë politike që i shërben vendit.

“Ju duhet të kultivoni një kulturë politike që shkon më shumë në pranimin e njëri-tjetrit, një politikë që kupton që opozita është e rëndësishme brenda institucioneve dhe jo jashtë saj”- tha z. Server në emisionin “Përballë”.

 Lidhur me negociatat, ai tha se vendet e BE-së duhet të ndjehen të turpëruara se nuk e mbajtën premtimin për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Europianët nuk mbajtën premtimet që kishin bërë. Dhe kjo është një gjë e turpshme. Por premtimet e pambajtura nuk janë aq të rëndësishem sa reformat dhe ju bëni reformat jo për francezët, jo për hollandezët, por për veten tuaj„,- tha Server në RTSH.

Eksperti i çështjeve për Ballkanin, Daniel Server tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. I njohur si kundërshtues i idesë së shëkmbimit të territoreve, porfesor Server thote se një marrëveshje e mirë për Kosovën do të ishte ajo që ruan integritetin territorial të vendit. “Mendoj se kosovarët duhet të jenë të kujdesshëm. Atyre do t’u bëhet presion për të arritur një rezultat para zgjedhjeve që do të zhvillojë Serbia dhe kjo nuk është në avantazh të tyre”,- u shpreh Server në RTSH.

Ai foli edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Është revoltuese dhe në një farë mënyre është edhe më keq se vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave nuk ka asnjë ndikim të drejpërdrejt në jetën e njerëzve ne Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa liberalizimi i vizave ka një ndikim të menjëhershëm sepse njerëzit mund të udhëtojnë”,- tha profesor Server në RTSH.

SHKARKO APP