Sezoni drejt fundit, rriten ndjeshëm euro dhe dollari

Monedha e përbashkët ka kërcyer mbi 124 lekë ditën e sotme, për herë të parë që na mesi i muajit korrik, teksa efektet sezonale, ndonëse këtë vit ishin të dobëta, po shkojnë drejt fundit.

Një euro u këmbye sot, me 124.07 lekë, duke u rritur me 0.32 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, dhe duke arritur në nivelin më të lartë që nga 20 korriku, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Në rritje ishin dhe monedhat e tjera. Dollari i cili pak ditë më parë zbriti në nivelin më të ulët në gati 6 vjet, e ka marrë vetën, duke u këmbyer me 104.96 lekë, 0.26 lekë më shumë se një ditë më parë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me rritje ishin edhe paundi dhe franga zvicerane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në bursat ndërkombëtare, euro u rrit lehtë ndaj dollarit, pasi kishte rënë për dy ditë radhazi. Monedha e gjelbër u forcua ditët e fundit, pasi SH.B.A-të miratuan përdorimin emergjent të plazmës së gjakut në trajtimin e pacientëve COVID-19.

Në tregun e brendshëm, ekspertët pohojnë se forcimi i valutave lidhet me faktin që efektet sezonale po shkojnë drejt fundit. Monedha vendase ishte e qëndrueshme në javët e para të gushtit, duke u forcuar lehtë ndaj euros, edhe pse kjo e fundit u mbiçmua lehtë në bursat ndërkombëtare, duke arritur në nivelin më të lartë në dy vite.

Aktorët e tregut pohojnë se gushti ka shënuar një farë gjallërie në vend, sa i përket turizmit, pas rënies me 65% të hyrjes së shtetasve të huaj në korrik, çka e ka mbatur lekun relativisht të fortë.

Gjithsesi, në krahasim me vitet e kaluar, kur në gusht monedha vendase forcohej ndjeshëm, këtë vit efektet kanë qenë të moderuara për shkak të kufizimeve në qarkullimin e turistëve por edhe të ekonomisë, të lidhur me Covid.

Nga 3 janari deri në 25 gusht, kursi mesatar i këmbimit të euros është 123.7 lekë, nga 123 lekë vitin e kaluar, duke shënuar tendencë të lehtë mbiçmuese për herë të parë prej 6 vitesh. Kjo rritje e euros lidhet më shumë me situatën e pazakontë të krijuar në mars, kur monedha e përbashkët kërceu për pak ditë mbi 130 lekë, si rrjedhojë e ndërprerjes së fluturimeve, që bllokuan rrugët e hyrjes së valutës./Burimi: Monitor

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?