Sezoni veror/Dhoma e Tregtisë thirrje Komitetit: Të vaksinohen punonjësit e hoteleve
Sezoni veror po afron dhe nuk dihet sesi do të mbahet këtë vit, pasi ende Covid-19 është në mesin tonë. Ndaj dhe për ti ofruar më shumë mbështetje sektorit të turizmit i cili është prekur prej një viti nga pandemia, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, i është drejtuar me një shkresë Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke kërkuar që të shihet mundësia e vaksinimit të shpejtë të personelit të hoteleve dhe njësive të shërbimit turistik në vend.
Për ta kjo është një masë që do të jepte më shumë garanci për një sezon veror ndryshe nga ai i vitit të kaluar dhe natyrisht më të sigurt sa i takon shëndetit. Në listë përveç hoteleve janë përfshirë dhe biznese të tjera që kanë risk të lartë infektimi për shkak të natyrës së punës që kryejnë.
Në vijën bregdetare duket se kanë nisur përgatitjet e para për sezonin veror. Menaxherët e njësive të shërbimit në bregdetin e Durrësit shprehen optimistë që ky sezon veror do të jetë më i mbarë se ai i kaluari, duke shpresuar që të mos ketë kufizime në orare apo shërbime.