Sfidat e Tiranës në sytë e reporterëve të rinj nga Ballkani, Veliaj dhe Del Monaco lançojnë nismën: Mundësi për të prezantuar Tiranën

Tirana do të presë një grup reporterësh të rinj nga gjithë Ballkani, si pjesë e “Youth Trail Initiative”, një iniciativë e OSBE-së. Për këtë konkretizuar këtë nismë, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e OSBE-së, Vincenzo Del Monaco dhe Ministrin e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi, biseduan mbi programin e kësaj iniciative dhe kalendarin e aktiviteteve “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Tirana do të kthehet në një histori suksesi të Kryeqytetit Evropian të Rinisë. “Në mes të Tetorit do të fillojmë me pritjen e gazetarëve të rinj nga gjithë Ballkani, nën drejtimin e OSBE-së, si një mundësi për të prezantuar Tiranën dhe për të zgjuar interesin e të rinjve për vitin kur ne do të jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ne do të përgatitemi për një prezantim të qytetit dhe secili prej tyre, falë kësaj mbështetje nga OSBE, të mund të kthehet dhe të raportojë si është Tirana sot”, tha Veliaj.

Ambasadori Vincenzo Del Monaco u shpreh se ka biseduar me kryebashkiakun Veliaj për të konkretizuar një numër iniciativash nën drejtimin OSBE-së në Tiranë. “Jemi duke konkretizuar një pjesë të nismave në fushën e medias dhe gazetarëve të rinj. Ne do të kemi gazetarë të rinj që do të vijnë në Tiranë shumë shpejt, si pjesë e “Youth Trail Initiative”, një iniciativë e OSBE-së. Jemi drejt përfundimit të detajeve të programit të këtyre profesionistëve të rinj, që qëndrimi i tyre në Tiranë e Shqipëri të jetë sa më i bukur dhe domethënës”, nënvizoi Del Monaco.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë politikash në mbështetje të të rinjve, duke filluar nga bursat gjer te startup-et.

SHKARKO APP