Shahini: Nëse nuk i hapim shkollat brenda majit, e shtyjmë vitin shkollor
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, flet për atë se çfarë do të ndodhë me vitin shkollor në kushtet kur mësimi po zhvillohet online nga situata e pandemisë Covid-19. Teksa tha se viti shkollor do të shtyhet, ndoshta me një muaj, ajo foli edhe për maturantët.
“Maturantët nuk kanë nevojë të shqetësohen. Leksionet në kushte shtëpie, nëse nuk do t’i përsërisim në shkollë nuk do të jenë në pyetje të provimit të maturës. Për testin e maturës thjesht nuk do të ketë pyetje në leksionet që do ishin zhvilluar në mars, prill, maj, nëse nuk kthehemi në shkollë t’i zhvillojmë aty. Testet do bëhen me ekspertë dhe ata nuk e shohin problem të heqin pyetjet nga leksionet që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe”,-tha në një intervistë për Report Tv.
Nga ana tjetër, Shahini tha se viti shkollor nuk do të përsëritet, por nisur nga kërkesat e prindërve, ajo tha se do të lejohen të përsërisin vitin ata që e ndjejnë se nuk kanë përvetësuar njohuritë, por jo si gjeneratë e tërë.
“Ne shpresojmë që do arrijmë të kthehemi në objektet shkollore para fundit të vitit shkollor se do ishte mirë të bënim 1 ose 2 javë para se të mbylljes viti shkollor. Ne po përgatitemi për cilindo skenar, edhe sikur mos të kthehemi në shkollë. Duhet ta mbyllim vitin shkollor, nuk duhet të përsëritim këtë vit shkollor. Edhe pse kemi prindër që na pyesim, rastet individuale edhe do i lejojmë por jo si gjeneratë e tërë. Testet e maturës do të realizohen. Këto janë qëllimet, duhet të ecim përpara me këtë plan”.